E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa dhe euroskeptikët

18-01-2012 / Nga Ilirian Dahri

Nisur edhe nga momentet jo të mira që po kalon ekonomia europiane në disa vende të Bashkimit Europian duket hera - herës një lloj shqetësimi i cili ka të bëjë me vetë ngrehinën Europë. Në vitet e fundit një pjesë jo e pakët e qytetarëve të Bashkimit Europian ka rritur negativitetin kundrejt Brukselit duke e parë  si origjinën e të këqijave sidomos nga ana ekonomike. Nisur ndoshta edhe nga kjo, në disa vende europiane, kanë ndodhur akte që dëshmojnë se vetë Europa ka nevojë për reformat të thella. Natyrisht pamjet, me flamurin e djegur të Europës, që vijnë nga Hungaria dëshmojnë rritijen e negativitetit kundrejt Europës. Flitet se më aktivët kanë qenë aktivistët e Jobbik, të “Lëvizjes për një Hungari më të mirë” që shpeshherë kanë kundërshtuar me forcë praninë e romëve në Hungari. Janë aktivistë të cilët lëvizin me uniforma si ata të fashistëve hungarezë të viteve 1940. Në të njëjtën kohë, të paktën sipas policisë hungareze  dyshohet për disa anëtarë të organizatës të Rojeve hungareze, të cilët janë deklaruar ndërkaq si të paligjshëm, por që kanë qenë të akuzuar edhe për vrasje të shumë romëve. Kjo lloj urrejtje kundrejt Europës nuk ishte parë kurrë më parë madje flamuri europian dukej hera –herës si një flamur “armik”. Natyrisht euroskeptikët nuk  kanë munguar kurrë por këtë herë duket se kanë shkuar më larg.  E krijuar në vitin 2003, “Lëvizja për një Hungari më të mirë”, prej partisë hungareze “Drejtësi dhe jetë” Rojet Hungareze kanë kërkuar më shumë pavarësi. “Lufta” e tyre është përqendruar sidomos me romët, të cilët nga ana e tyrë përfaqësojnë rreth 10% të popullsisë hungareze, dhe “faji” i tyre është se marrin ndihma nga shteti. Sidoqoftë nga kjo Lëvizje janë marrë 47 vende në zgjedhjet e vitit 2010, dhe disa prej tyre marrin pjesë si deputetë të parlamnetit europian. Por tashmë po kërkojnë një referendum për daljen nga Europa. “Tani mjaft, duhet të dalim nga BE” – kështu është shprehur lideri i partisë Gabor Von,a mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve. Natyrisht për kryeministrin Orban situata nuk është nga më të mirat, me  një flamur të djegur europian kur pikërisht në këto momente Hungaria ka nevojë për fonde nga Europa  dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe në të njëjtën kohë kryeministri duhet të rishikojë Kushtetutën. Nga ana tjetër, që në korrik të vitit 2009, ishin marrë masa për të “eliminuar”  Magyar Garda, e cila ishte e lidhur me partinë ekstremiste Jobbik që arriti sukses në zgjedhjet e fundit europiane. Gjykata e Lartë hungareze në datën 2 korrik të viti 2009, kishte dhënë edhe një vendim për çmobilizimin me forcë të organizatës sepse kishin kryer akte diskriminuese kundrejt minorancës rom hungareze duke konfirmuar sentencën e 17 dhjetorit 2008, kundër të cilës Magar Garda kishte apeluar. “Anëtarët e shoqatës së Rojes Hungareze kanë krijuar një atmosferë urrejtje, nga momenti që aktivitetet e  tyre – dhe të anëtarëve të saj janë spostuar në qendrat e banuara dhe në fshtrat me resident rom – duke poshtëruar dinjitetin e minorancës cigane” – ishte shprehur gjykata në sentencën e parë. Fill pas saj kishte ardhur përshëndetja nga Orban Kolompar, presidenti i Autoritetit kombëtar rom, i cili kishte përshëndetur sentencën. Ndërsa Laszlo Teleki, komisari i qeverisë për romët kishte deklaruar se: “Është fitorja e sensit të mirë, e demokracisë, e romëve dhe e të gjithë vendit”. “Romët hungarezë duhet  të jënë të gëzuar, sepse ekstremistët nuk do të mund të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të organizuar”. Në krye të listës ishte Krisztina Morvai, avokate, me tre fëmijë, që në të njëjtën kohë kishte ndezur situatën kur kishte folur për “zgjidhje finale të problemit të ciganëve”, duke kujtuar në këtë mënyrë shprehjen që nazistët kishin përdorur për hebrenjtë. Asokohe rreth 1 mijë aktivistë kishin “luftuar”, kundra romëve por duke hedhur edhe parrulla  pro Hungarisë së madhe duke mos harruar gjymtimin e territoreve të  Hungarisë në vitin 1945.
Ishte  19 nëntori i vitit 2009,  në qytetin Sajobabony (në veri të vendit) kur romët  kishin kaluar katër ditë të vështira pas luftimeve me militantët e Rojeve hungareze. Kjo situatë kishte sjellë edhe probleme  në parlamentin hungarez kur  opozita e djathtë akuzonte qeverinë dhe policinë si jo të afta për mbajtjen e rendit publik. Ish-ministri socialist, përgjegjës i sigurisë kërkonte t’i kalonte përgjegjësinë ekstremistëve të djathtë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›