Shashka-përçartjet nuk ndikojnë të ardhmen e demokracisë, as Çështjen Kombëtare
Para pak ditësh, me cilësinë e kreut të Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, i njohur rëndom edhe si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tha pak a shumë se AKZ-ja do të kërkojë kufizimin e mandateve të kryetarëve të partive politike, të kryeministrit, të kryetarëve të Bashkive dhe të komunave, pasi “mandatet e përjetshme janë një diktaturë moderne”. Shashka-përçartja e radhës bie ndesh me përvojat e vendeve me demokraci të kultivuar, për çka komentet do të ishin të tepërta.
Në gojën e kreut të kuqezinjve - lëvizje me pretendime mbarëkombëtare, por që, për fat të keq, përherë e më shumë po u qaset politikave korrente të ditës - si dhe në emër të tyre, një deklaratë e tillë do të merrej thjesht si propagandë e rëndomtë për përfitime elektorale. Se si do të pritej prej opinionit, zor të vlerësohet jashtë kontekstit të një fushate të caktuar elektorale. Edhe nëse do ta konsiderojmë si potencial politik për të ardhmen, duhet të mbajmë parasysh se do të ishte më e volitshme dhe më e efektshme që elektorati të vihej në lëvizje në prag të ndërrimit të stinëve zgjedhore, sesa kohë e pakohë.
Atëherë, çfarë e ka shtyrë zotin Spahiu të hedhë shashkën-përçartje të radhës, bash një vit e ca përpara shpalljes së zgjedhjeve të ardhme, kur edhe partinë s’e ka të formuar zyrtarisht, edhe vetë përfaqëson një institucion të depolitizuar, madje edhe votuesit nuk ia kanë ngenë?
Sipas meje, dy do të ishin motivet e shtysës.
I pari ka të bëjë me rrëshqitjen e tokës nën këmbë. S’ka dyshim se Spahiu e ka pas ndier dhe po e ndien gjithnjë e më tepër fundin e të qenit nënkryetar i KLD-së. Dy kunguj nën sqetull nuk mbahen. Edhe jopolitik, edhe politik, do t’i shkonte përshtat vetëm ndonjë “sharlatani liliput”, - nëse do të përdornim një thënie të Kryeministrit Berisha. Kësisoj, drejt një fundi të pashpresë, një emër në partiçkën që po tenton të lindet, do të vlente ca më tepër se hiç.
Motivi i dytë, ndoshta me forcë shtytëse më të madhe, duhet të jetë kushtëzuar nga koha kur u lëshua shashka. Nënkryetari i KLD-së e lëshoi atë një ditë a dy përpara se krerët e Vetëvendosjes në Kosovë tentuan bllokimin e kufirin ndërshtetëror me Serbinë. Siç kanë njoftuar mediat, në atë aksion të papranueshëm qoftë për klasën politike shqiptare, në përgjithësi, qoftë për ndërkombëtarët, në veçanti, morën pjesë edhe militantë të AKZ-së. Veshur me një petk kinse kombëtar, arnuar edhe me slogane kinse kombëtare, aksioni i Vetëvendosjes përfundoi, siç dihet, me përleshje mes forcave të rendit dhe militantëve të mashtruar që synuan bllokimin e kufirit, bash në të njëjtën linjë me nacionalizmin e verbër serbomadh. Kujt i interesonte ky sinjal negativ prej disa qindra militantësh të Vetëvendosjes dhe të disa dhjetëra të tjerëve të Aleancës Kuq e Zi, transportuar me autobusë a me vetura nga Tirana e nga Shkupi?
Përgjigjja është fare e thjeshtë: askujt tjetër përveç nacionalizmit serb, që gjallon ende në Beograd dhe që bën përpjekje të dëshpëruara për të vënë shenjë barazimi mes vetes dhe ca kinse nacionalistëve shqiptarë, më tepër të mashtruar, sesa të ndërgjegjësuar për veprimet e tyre të ngutura e të pamatura.
Megjithatë, po t’u referoheshim deklaratave kinse atdhetare të zotit Spahiu, do të zbulonim se ai mendon ndryshe. Sipas tij, kohët e fundit ka një fushatë intrigash e denigrimi nga Tirana, Shkupi dhe Prishtina në drejtim të Aleancës Kuq e Zi, për t’iu kundërvënë “një fronti shqiptar që synon të bashkojë zemrat e shqiptarëve”. Ai shkon edhe më tej kur deklaron se, lidhur me sa më sipër, nuk kemi të bëjmë me një rastësi, por me një “skenar antishqiptar”, të cilin e gjen te politika zyrtare e Tiranës dhe e Prishtinës, në dobi të Beogradit. Me sa duket, Shkupin e ka përmendur për të larë gojën, në mos për të hedhur helmin e nepërkës në marrëdhëniet fqinjësore mes Republikës së Shqipërisë e Republikës së Kosovës, nga njëra anë, dhe Republikës së Maqedonisë, nga ana tjetër. Tashmë dihet mirëfilli që politikën zyrtare të Shkupit më tepër sesa partitë shqiptare, e bëjnë ato maqedonase. Ndërkohë, Shkupi zyrtar nuk i ka syzet aq të errëta sa të mos dallojë te zoti Spahiu nënkryetarin e KLD-së, një ndër ndihmësit më të afërt të Presidentit.
Mua s’ma do mendja që Kreshnik Spahiun ta hajë meraku aq sa shtihet për shqiptarët “me tre himne, në Tiranë, Prishtinë e Shkup”. Të ishte kështu, njeriu të cilin fati e vuri në një nga postet më të larta të drejtësisë, do t’i përkushtohej më tepër stabilizimit, sesa destabilizimit të vendit, duke dhënë shembullin klasik të shkeljes së Kushtetutës me të dyja këmbët. Sa për bashkimin e shqiptarëve brenda një kufiri shtetëror, nën një flamur dhe me një himn të përbashkët, le rrijë i qetë e me mendje të mbledhur. Ajo do të arrihet patjetër, kurse dita nuk do të jetë e largët. Por ajo nuk do të vijë me poza kinse kombëtare, me slogane, me protesta destabilizuese ose me shashka-përçatje. Ajo do të vijë përmes dashurisë dhe jo duke u rënë daulleve të urrejtjes; do të vijë përmes mirëkuptimit dhe jo duke nxitur mosmarrëveshje ndërfqinjësore; do të vijë me përpjekje të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe Vetëvendosjen, edhe Aleancën; do të vijë duke pasur mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, i cili u angazhua aq shumë për Kosovën shtet të pavarur; do të vijë sepse koha po punon për atë ditë, duke nxjerrë jashtë loje ata që i shkojnë kundër.
E them këtë plot gojën, me besimin dhe me frymëzimin atdhetar të brezi tim, i cili u mëkua me frymën kombëtare të korifenjve të shqiptarizmit, përpara sesa diktatura komuniste t’u frynte borive të internacionalizmit proletar, përpara se shumëkush prej kolltukofagëve të sotëm të tipit Spahiu të zgjohej nga gjumi e të kuptonte se përveç shtetit të mbyllur të Enver Hoxhës, paskësh edhe Prizren, Prishtinë a Mitrovicë; paskësh edhe Tetovë, Gostivar e Dibër të Madhe; paskësh edhe Filat, Gumenicë e Margëllëç...