E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvjetor i 100-të, bazament i përjetësisë dhe reflektimit në momente kyçe dilemash

18-01-2012 / Nga Jakup Krasniqi *

Sapo përfunduam me kremtimet e fundvitit që iku, me ato të fillim vitit që nisi dhe as që nuk mund të merret me mend një uverturë më e favorshme për festën jubilare – 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të shtetit Shqiptar.
Përvjetorët e tillë aq më tepër kur shtrihen në përmasë shekulli, padyshim që në sfondin e vet përmbajnë shkaqe, shkase e motive për kujtesë e kujtime, për reflekse e reflektime, krahas mbushjes së shpirtit me ndjenjë atdhedashurie.
Është në logjikën e gjërave që njeriu i kësobotshëm, dit-ardhjen e tij në jetë ta shënojnë duke kujtuar prindërit, pastaj fëmijët, e nipërit, e mbesat. Ndryshe nga ligjësitë biologjike për rendin e brezave njerëzor, që njohin për atdhe-shtet të parë shtëpinë, pastaj lagjen a fshatin a qytetin; ligjësitë shoqërore sikur përmbysin këtë rend: bijtë e bijat bëjnë ritin e lindjes së shteti-atdhe. Togfjalëshi atdhe-shtet ose shtet-atdhe sintetizon një lindje të vështirë e të përgjakshme, një lindje të pavdekshme që stampon qenësinë, si shenjë ekzistence, sa  në mbamendje, po aq edhe në dokument. Një lindje që përkthekon në vetë rilindje e përlindje kombëtare.
Nuk më duket rastësisë që, pikërisht në historikun e dokumenteve më të vjetra të shkruara të shqipes, zë vend Formula e Pagëzimit; “Unte Paghesont Premenit Atit et Birit et Spertit Sente”. (“Unë të pagëzoj në emër të Atit, të Birit të Shpirtit të Shenjtë”).
Duke u përvijuar nëpër manifestin e parë shqiptar, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet” të Sami Frashërit,  nëpër organin e parë politik - Lidhja  Shqiptare e Prizrenit, ajo vjen e riformulohet pikërisht më 28 Nëntor të vitit 1912: “…Shqipëria me sot… bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.
Ky pagëzim mëvetësie e mosvarshmërie, kjo shpallje, ky kumt, që lë më një anë plagët, gjymtimet, e vurratat, u bë streha fizike, shpirtërore e mendore e të gjithë shqiptarëve, anekënd rruzullit për një shekull të tërë. Prandaj ata, kudo në Evropë, Australi e Amerikë, si në një kor madhështor do të këndojnë: Mbahu nëno,mos kij frikë! Formula e Pagëzimit, si për të përligjur ritin e moçëm, erdhi e u shfaq sërish pa u mbushur shekulli: “Ne, udhëheqësit e popullit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”.
Kjo formulë do të shqiptohet pikërisht, më 17 shkurt 2008. Derisa të parën e shqipton i dituri Pal Ëngjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Gjergj Kastriotit, më 1462; të dytën i mençuri plak i Vlorës, Ismail Qemali, me bashkëpunëtor trimin, Isa Boletini; të tretën, kuvendarët e Kosovës, dalë nga supet e dalzotësit Adem Jashari. Në të tri rastet si në vetë mrekullinë, shfaqet atributi i simbiozës, mençuri - trimëri. Vepra që rezulton si amalgamë e mendjes, shpirtit dhe zemrës nuk ka se si të mos marrë dorë nga aureola hyjnore. E thashë më herët se përvjetorët e këtillë janë doemos edhe bazamente përsiatjeje e reflektimi.
Në momente kyçe dilemash, Noli mendjendritur siç është e ditur, shtronte konsulencën hipotetike: “çdo të bënte Skënderbeu në një rrethanë të këtillë? A nuk është koha dhe vendi që, duke marrë shkas nga ky përvjetor i lavdishëm dhe nga kjo plejadë njerëzish të famshëm, burrështetasit, liderët dhe udhëheqësit e sotëm shqiptarë t’i thërrasin mendjes, rezonancës së arsyes, harmonisë së veprimit?
Sipas përvojë së të parëve them se kjo është traseja unike e ardhmërisë. Ndjesa, pendesa dhe mirëkuptimi le të na bëhen udhërrëfyes për tejkalimin e vetvetes, të egos dhe të veseve! Pa pretenduar të bëj historinë e ngjarjes madhore, zaten ngjarjet e mëdha të historisë së një populli e bëjnë vetiu historinë, nuk kam se si të mos them se 28 Nëntori i 1912-ës, kapërcen atë që quhet kthesë, atë që quhet nyje.
Në jetën e shqiptarëve ajo është epoka e epokave, pika që ndan mileniumet. Që andej e këtej e tutje, mund të ndërrojnë rendet shoqërore, politike e ekonomike; mund të ndërrojnë formacionet e administrimit, ritmet e zhvillimit, çalimet dhe hovëzimet kulturore; por Shqipëria, shteti i shqiptarëve, atdheu i shqiptarëve të shuar e të përjetësuar, të gjallë e të pa lindur do të rrojë për jetë të jetëve. Në këtë përvjetor jubilar, prandaj, s’kam arsye dhe s’dua ta fsheh për asnjë çast, për asnjë rrethanë ndjenjën e krenarisë, mbushjen emocionale, kënaqësinë njerëzore. E kundërta do të më dukej pozë e çnatyruar. Për jetë të jetëve Shqipëria “…më vehte, e lirë dhe e mosvarme”!
Faleminderit.
* Fjala e Kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›