E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa e krishterë duhet të njohë heronjtë e saj



Jean-Gilles Malliarakis

Këtë 16 maj New York Times-i botonte një artikull mjaft domethënës për gjendjen e rëndë në Afganistan. Nga disa anë vetëm sa përtërinte kritikat e shtjelluara, mjerisht herë mbas here, nga Amin Wardaku për sa i përket ecurisë së sotme të luftës. Ka të bëjë kjo, posaçërisht në ditën e sotme, me mënyrën se si Obama dhe Departamenti i Shtetit e vështrojnë këtë luftë. Mund të thuhet, nga ky këndvështrim, se strategjia e gjeneralit McChrystal regjistron humbje serioze. Por të ngrihesh e të thuash, lidhur me këto, se je i kënaqur që të ka dalë fjala, është diçka e pandershme.
Pikësëpari, shumë ushtarë francezë, për të mos thënë ajka e ushtrisë, janë përfshirë në terren. Franca ka marrë pjesë në këtë kauzë në mënyrë të qëndrueshme, me mirëkuptimin e njëzëshëm të klasës politike, në vjeshtën 2001. E ka bërë këtë në suazën e Rezolutës 1386 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Presidenca Chirac dhe qeveria Jospin, në harmoni të përkryer, aderuan atëherë në objektivin e luftës kundër terroristëve të al-Qaedës. Sot, mbas gati 10 vjetësh luftime, triskujt e regjimit të ndyrë të talebanëve ende nuk janë shkulur rrënjësh krejtësisht. Mund, pra, të na vijë keq për këtë dhe ta pyesim veten nëse mjetet kanë qenë të përshtatshme, si në rrafshin sasior ashtu edhe në atë të metodave.
Domosdoshmëria e një reflektimi të tillë u takon të gjithëve. Ajo nuk mund të ngatërrohet me rivënien në diskutim të objektivit global në vetvete: shkatërrimi i terrorizmit islamik. Ajo nuk ka të bëjë as me kritikën disfatiste ose me denigrimin e punës së dalluar të ushtarëve tanë dhe të policëve tanë që marrin pjesë në atë luftë. Duhen akuzuar, pra, këtu shtampat mediatike zotëruese dhe mënyra pariziane e të menduarit monopolist që rreken gjithnjë të përndyejnë ushtarakët, sidomos ushtrinë dhe shërbimet e informimit të vendit tonë. Të tjerët përfitojnë, nganjëherë, trajtim më të butë. Atyre u kënaqen sytë me terroristë të shpallur si “Carlos”-i i filmit. Leninisti venezuelian Iliç Ramirez Sanchez pohonte për veten se qenkësh “i lindur për të qenë revolucionar”. Si ka shënuar një numër mbresues viktimash të pafajshme në tabelën e tij të gjahut, tani është konvertuar në islam, me sa duket. E admirojnë haptas. Subvencionojnë filmin “I Jashtëligjshmi” dhe i quajnë budallenj të mëdhenj ata që guxojnë të protestojnë.
është e udhës pra të sjellim në mend të vërtetën, të pranojmë meritat e atyre që, për së gjati shekujve, kanë mbrojtur Europën nga barbaria. Pikërisht sot, me këtë rast që më jepet krejt padashur, kam kënaqësinë t’i paraqes publikut librin e Camille Paganelit, “Histori e Skënderbeut”. Fjala është, në të vërtetë, për ta ngjatjetuar Skënderbeun si hero të madh të Europës së krishterë.
Gjergj Kastrioti, bir i një zoti të Epirit, u mbiquajt prej vetë kundërshtarëve të tij “Skënderbe”, d.m.th. “princi Aleksandër” (1403-1468). Ishte i pari që bashkoi malësorët ilirë. Ende sot ai njihet si heroi kombëtar prej të gjithë shqiptarëve, duke përfshirë edhe ata që, dy shekuj më vonë, u kthyen nominalisht në islam.
Mundës i sulltanit Mehmet II, praktikisht i vetëm ai e ndali valën pushtuese osmane në Adriatik. Jeta e tij gjithë aventura, si dhe gjithë fitore, duhet njohur më mirë. Mund të quhen kështu fatlume rrethanat në të cilat, duke marrë një mbështetje shumë të dobët por gjithsesi simbolike nga Papati, nga Venediku dhe nga Fuqi të tjera europiane, ai diti ta bashkonte popullin e tij dhe të delte fitimtar me forcat e veta.
Si fillim i Kohëve të Reja viti 1453 shënon njëherësh marrjen e Kostandinopojës nga turqit, lindjen e shtypshkrimit dhe fitoren e frëngjve në Kastijon, që i jepte fund Luftës së Njëqind Vjetëve. Kështu ua ka ënda zakonisht historianëve ta shohin mbarimin e asaj që e quajnë Mesjetë: mbas saj Europa baroke do të zgjasë deri më 1789.
Familja e popujve tanë shfaqi, përgjatë gjithë kësaj periudhe, vetëdijen e të pasurit një armik të përbashkët: Perandorinë osmane. Kjo kundërshtare mizore mbetej zonjë e Mesdheut dhe shtypëse e të krishterëve të shitur si skllevër.
Nga njëra anë, rrethanat historike dhe politike evoluojnë. Nga ana tjetër, ka fakte gjeografike dhe kulturore që mbeten. Kështu që, kur Camille Paganeli, jetëshkrues i Frederikut II dhe i Jozefit II, boton për së pari më 1855 veprën “Histori e Skënderbeut”, Franca përbri Anglisë bën një kryqëzatë të çuditshme në Detin e Zi. Lufta e Krimesë (1853-1856) qe përftuar nga kabineti i Londrës për të penguar Rusinë të priste copash forcat e Portës së Lartë dhe të fuste në dorë Ngushticat. Kjo koniunkturë i dukej autorit tonë kontradiktore me njohjen e vet të historisë.
Një shekull më vonë kemi parë të zhvillohen raporte të reja force posaçërisht mes Rusisë dhe Turqisë etj. Megjithëkëtë, konstante të tjera dalin, madje edhe në bishtnimet e dëmshme të europianëve. çdo komb duket kësisoj i dënuar të shpëtojë veten, ose të bjerret i vetëm, me sigurinë që ka për të parë, fill paskëtaj, reagimin gjithë lot të familjes europiane, - Republikë e Krishterë do të quhej njëherë, - kur ajo bëhet e ndërgjegjshme për humbjen e pësuar.
U desh fatkeqësisht rënia e Kostandinopojës që Europa të hapte sytë para rrezikut: u desh trimëria dhe gjenia ushtarake e Skënderbeut që ta ndalte atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›