Dekretet, hiqet votimi i fshehtë
Erald Kapri
Në seancën plenare të ditës së enjte do të paraqiten ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit për votim të hapur, për dekretet e Presidentit. Sot maxhoranca dhe opozita do të rinisin debatin me dyer të mbyllura në Këshillin e Rregullores, Mandateve e Imuniteteve, por maxhoranca duket e vendosur për të mos lëshuar pe nga qëndrimi i saj. Ndryshimet në dy nenet e rregullores, që sanksionojnë votim me votë të hapur për dekretet e Presidentit dhe shqyrtimi i kandidatëve nga 3 javë që është në 8 javë, do të kalojnë për miratim në Kuvend. Ndryshimet në rregullore kalojnë me votim të thjeshtë, por opozita ka kundërshtitë e saj. Së pari 5 anëtarët e opozitës në Këshillin e Rregullores Gramoz Ruçi, Damian Gjiknuri, Pandeli Majko, Kastriot Islami e Vangjel Tavo, kërkojnë që të bëhen ndryshime me konsensus. Sipas tyre, rregullorja e Kuvendit është një dokument që është miratuar me konsensus dhe s’munden t’i bëhen ndryshime duke imponuar votën e shumicës në Kuvend. Ndërsa deputetët e maxhorancës në Këshill Ilir Rusmali, Viktor Gumi, Eduard Halimi, Arenca Trashani e Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli mendojnë se ndryshimet i shërbejnë rritjes së transparencës së Kuvendit. Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit përcaktojnë se dekretet e Presidentit Bamir Topi të kalojnë me votim të hapur. Sipas deputetëve të PD-së, kjo formë është transparente. Ata shprehen se përderisa ministrat, që janë të përveçëm, miratohen me votë të hapur, atëherë nuk ka pengesë që edhe dekretet e emrave të gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë të kalojnë me votë të hapur. “Nëse për çështjen e ministrave bëhet votim i hapur, nuk ka arsye që për rastet e dekreteve të Presidentit, për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të ndiqet një formë tjetër votimi. Votimi i hapur sjell një efekt në lidhje me transparencën e procesit dhe tek publiku siguron qartë shprehjen politike të Kuvendit”, kanë argumentuar në relacionin e ndryshimeve deputetët e PD-së. Për deputetët e PS-së, ky ndryshim është jodemokratik pasi sipas tyre, çdo Parlament në botë madje dhe demokracitë e lashta kanë përdorur votë të fshehtë kur miratojnë emra në Parlament. Sipas opozitës, maxhoranca ka frikë nga rrjedhja e votës dhe për këtë kërkon që tu imponojë deputetëve votë të hapur në mënyrë që ata të mos devijojnë votën e tyre.