E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Europë i kthehen Skënderbeut

Aurel Plasari

I nxori para kamerave kryeprokurorin, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe shefin e policisë Europë i kthehen Skënderbeut. Ribotimi më i ri që qarkullon këto ditë në Francë është “Histori e Skënderbeut - hero i Europës së krishterë” (bot. Trident) i autorit tanimë klasik Camille Paganel. Paraqitja që e shoqëron vjen e nënshkruar nga Jean-Gilles Malliarakis, politikan dhe publicist.
Nuk është pa interes të shënohet se “Historia e Skënderbeut” e Paganelit bën pjesë tanimë ndër Historitë klasike për heroin tonë. E botuar për së pari në Paris më 1855, ajo u ndoq nga disa ribotime, si dhe u përkthye në gjermanishte (1856), në greqishte (1861), në hungarishte (1882) etj. Me veprën Histori e Skënderbeut ose Turq dhe të Krishterë në shekullin XV nga Camille Paganel ish-Këshilltar shteti (Paris 1855), autori rrihte gjurmët e bashkatdhetarëve të tij me emra të mëdhenj: fisnikut nga Vandomi Jacques de Lavardin (Histori e Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe, mbret i Arbërisë, Paris 1576) dhe atit jezuit Jean Nicolas Duponcet (Histori e Skënderbeut mbret i Arbërisë, Paris 1709). I pari shumë më shumë dhe i dyti më pak kishin përdorur Historinë e Marin Barletit; as Paganeli nuk i shpëtoi dot “priftit nga Shkodra” si burim, me gjithë plotësimet, përditësimet etj. Mirëpo në Francë historia e tij pati receptim të veçantë ndoshta ngaqë, siç ka pasë vënë re Noli, “ishte e shkruar në frëngjishte brilante” dhe si e tillë “i tejkaloi të gjithë librat e tjerë për Skënderbeun”. Bëhet e kuptueshme lehtë njëra nga pse-të e përzgjedhjes së një teksti të tillë për t’u ribotuar në ditën e sotme.
Pse-në tjetër të kësaj përzgjedhjeje për ribotim lexuesi do ta kuptojë prej paraqitjes nga Jean-Gilles Malliarakisi me titull “Europa e krishterë duhet t’i njohë heronjtë e saj”: është një pse që tërthorazi zbulon edhe në atdheun e Skënderbeut diçka nga mbrapavija e kamufluar keq të antieuropianizmit të “skëndoskeptikëve” për ç’i përket atij vetë dhe për ç’u takon luftërave të tij.
Për autorin Camille Paganel (1797-1859) mund të shtohet: ka qenë politikan francez, njëherësh historian, autor i një numri jo të vogël veprash, ndër të cilat: Shkurtore e historisë romake nga L. Anea Flori (1828), Vështrim mbi gjendjen politike të Europës (1819), Për Spanjën dhe për lirinë (1820), Sprovë për instituimin monarkik të Napoleonit (1836), Histori e Frederikut të Madh (1830), Histori e Jozefit II perandor i Gjermanisë (1853) etj. Bën përshtypje që i kanë interesuar me përparësi figura të mëdha të historisë evropiane: krahas Skënderbeut tonë, perandorë si Napoleoni, Frederiku i Madh, Jozefi II etj.
Në historinë e albanologjisë Paganeli ka vend jo vetëm me Historinë e Skënderbeut, por edhe me një vepër kërshërore më të hershme me titull Varri i Marko Boçarit (1826). Duke qenë bashkëkohës me albanologë si Ritter Xylander (Gjuha e shqiptarëve, 1835), Vincenzo Dorsa (Mbi shqiptarët, 1847) Johann Georg von Hahn (Studime shqiptare, 1853-1854) etj., historiani Camille Paganel bën pjesë në atë grup studiuesish që, nën ndikimin e rrymës filozofike të pozitivizmit, kontribuan në përfitimin si tërësi më vete disiplinash të albanologjisë pikërisht aty: në mesin e shek. XIX.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›