E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superllogaritjet për Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin

Prof.Dr. Artan Boriçi *

I. Sfondi

Shqipëria ka mbyllur dekadën e dytë të tranzicionit politik dhe ekonomik prej ekonomisë së centralizuar në ekonominë tregut. Vendi ka bërë progres të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat, sidomos në vitet e fundit. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe një vend i asociuar me BE. Megjithatë, Shqipëria ndeshet me sfida të mëdha në rrugën e saj të zhvillimit dhe aspiratën e saj për t’u bërë anëtare e BE-së. Në lidhje me shkencën, teknologjinë dhe inovacionin Shqipëria ka hartuar Strategjinë Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (SKShTI), e cila, ndërmjet të tjerave, kërkon rritje e shpenzimeve publike për kërkimin në 0.6% të GDP në 2015, krijimin e 4-5 qendrave të ekselencës në shkencë (QEKSH), dyfishimin e numrit të kërkuesve përmes ruajtjes së trurit (braingain) dhe trajnimit të 500 doktorantëve të rinj me anë të shkollave të reja pasuniversitare. Në mënyrë që të zbatojë planin, Shqipëria ka bërë dy hapa të guximshëm përpara duke krijuar:
Ministrinë e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (MITIK), si dhe Agjencinë e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI), një agjenci qeveritare, e ngjashme si me NFS të SHBA, përgjegjëse për implementimin e kërkimit dhe programeve prioritare. Strategjia bën apel për një vizion të unifikuar në shkencë, teknologji dhe inovacion. Një nga sfidat kyçe është transformimi i vendit në një ekonomi të bazuar mbi njohuritë, ku kërkimi dhe inovacioni i prin zhvillimit të vendit. Një nga qëllimet është krijimi i ekselencës shkencore në fusha kërkimore prioritare duke orientuar dhe përqendruar financime të konsiderueshme për të mbështetur sistematikisht inovacionin dhe transferimin e teknologjisë në sektorin e prodhimit.
II. Shoqëria e bazuar në Informacionin, Komunikimin dhe Llogaritjet.
Shpërthimi i informacionit në një shkallë të paparë kërkon procesimin, menaxhimin, filtrimin dhe optimizmin e një sasie të madhe të informacionit. Ligjet themelore të natyrës, ekonomisë, financës dhe të sociologjisë kërkojnë sisteme të avancuara llogaritjesh, komunikimi dhe rrjetash në mënyrë që të jenë në gjendje për t’u transformuar në mjete të dobishme të zhvillimit dhe përparimit të qëndrueshëm. Nuk ka komb të vetëm ose grup vendesh që janë në gjendje për të arritur këto objektiva të vetmuara në një botë të ndërlidhur dhe të varur globalisht. Për më tepër, kombet më të vogla dhe në zhvillim e sipër si Shqipëria, me ekonomi të bazuar kryesisht në shërbime, e kanë të pamundur mbijetesën në botën globale pa shfaqur një profil agresiv në teknologjitë inovative. Ambicie të tilla nuk janë vetëm shprehje e angazhimit në rrjetin global të bashkëpunimit dhe bashkërendimit në teknologjitë më të përparuara, por përbëjnë shtyllën kurrizore të përqasjes zhvillimuese të vendit. Përqasje të tilla të bazuara në ekselencë kanë qenë dhe mbeten për çdo vend të madh apo të vogël, baza e zhvillimit të burimeve njerëzore në një treg dinamik pune. Fluksi migrator, i cili mbetet një mbështetje e madhe për vendet e zhvilluara, duhet të jetë prioritet edhe për vende në zhvillim me pozicion të shkëlqyer gjeostrategjik. Pozicioni gjeografik evropian dhe objektivi strategjik për anëtarësim në BE e vendos tregun e punës shqiptar në një pozitë shumë të favorshme dinamike, ku daljet emigratore mund dhe duhet të balancohen me ato migratore me kualifikim të lartë. Ambiciet teknologjike të shoqëruara me migrim të kontrolluar së pari prej vendeve më arsimim të lartë të Azisë do të dinamizonin tregun e punës në vend. Efektet e qasjeve të tilla nuk rrisin vetëm kapacitetet, por nxisin konkurrencën dhe zhvillimin e burimeve vendëse njerëzore.
Prandaj, Shqipëria duhet të prioritizojë shoqërinë e bazuar në informacion, komunikim dhe llogaritje si një nga fushat kyçe të ekselencës së përqendrimit, të ekselencës kërkimore, duhet të nxisë kuptimin e parimeve, përdorimin e llogaritjeve të avancuara, komunikimit dhe sistemeve të informacionit në shërbim të shoqërisë, duhet të kontribuojë në pjesëmarrjen universale, transparente dhe të përballueshme në një shoqëri të bazuar në informacionin. Shqipëria duhet të mundësojë veten për të marrë një pozicion udhëheqës rajonal në Shkencën e Informacionit, Komunikimit dhe Llogaritjes (SIKL). Në këtë aspekt, vendi duhet të fillojë kërkime në fushat e mësipërme, në mënyrë që të zhvillojë infrastrukturë të përparuar kombëtare në llogaritje dhe informacioni për kërkim dhe arsimim në përgjithësi dhe kontribuojnë në edukimin dhe trajnimin e brezit të ardhshëm të shkencëtarëve dhe inxhinierëve të informacionit, komunikimit dhe llogaritjeve. Ky prioritet vendos bazamentin e ambicies për t’u shndërruar në një shtëpi soft-dhe hardware të rajonit me investime të aktorëve globalë teknologjikë.
III. Superllogaritjet për Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin
Llogaritjet shkencore, duke përfshirë modelimin dhe simulimin, janë bërë vendimtare për problemet e kërkimit, që janë të pazgjidhshme prej qasjeve tradicionale teorike dhe eksperimentale, të rrezikshme për të studiuar në laborator, ose që marrin kohë, ose janë të shtrenjta për të zgjidhur me mjete tradicionale. Kjo është një fushë e ekselencës së kërkimit shkencor dhe infrastrukturës së kërkimit të gjithë botës dhe baza kryesore e SIKL. Llogaritjet me Rendiment të Lartë (HPC) mbulojnë probleme si zhvillimi i burimeve të ardhme energjitike, studimin e ndryshimit global të klimës globale, përshpejtimin e kërkimit në projektimin materialeve të reja, zbatime në kimi, vizualizime 3D, biologji llogaritëse, modelime ekonomike dhe financiare, përmirësimin e metodave të pastrimit të mjedisit si dhe të kuptuarit fizikës bërthamore prej grimcave më të vogla e deri tek shpërthimet masive të supernovave.
HPC janë të mundura vetëm prej programeve kombëtare si në vende të mëdha, si programi SciDAC të SHBA (http://www.scidac.gov/), ashtu edhe në vende të vogla si qendrën kërkimore CaSToRC të Qipros (http://castorc.cyi.ac.cy/). Shqipëria duhet të jetë lider rajonal në përdorimin e teknologjisë më të avancuar HPC, si shtyllë e ekselencës së tregut të Teknologjisë së Informacionit dhe të SIKL. Vendi duhet të përfshijë aktorët globalë në fushën e Teknologjisë së Informacionit për të investuar në Shqipëri në fushën e IT dhe SIKL si IBM, Intel, etj., të katalizojë zhvillimin dhe arsimin në fushën e SIKL në Shqipëri dhe rajon, të mbështesë fushat prioritare të kërkimit të vendit dhe programet kërkimore të universiteteve në të gjitha nivelet, siç kërkohet nga të Master Plani, të sigurojë diplomimin e dhjetëra doktorantëve të rinj.
Shqipëria ka të gjitha instrumentet si MITIK dhe AKTI për mbështetjen e ambicieve të veta për të zhvilluar “Marketplace Albania: IT”. Burimet njerëzore dhe kapitalet nuk mund të thithen pa një ekselencë kërkimore, si një marketing i domosdoshëm për të implementuar ambicie të tilla strategjike.
*Pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›