Një verë plot argëtim, AMC dhe Bliss sjellin në Vlorë, Eddy Wata
Kjo verë do të këtë më shumë muzikë se çdo verë tjetër. AMC ka planifikuar një botë plot argëtim për të rinjtë duke i ngjyrosur ditët e javës plot festa dhe muzikë në bashkëpunim me disa prej klubeve më të frekuentuar në Shqipëri. Për të gjithë të rinjtë që do e kalojnë këtë fundjavë në qytetin e Vlorës, AMC dhe “Bliss Night Club” do të organizojnë një festë të veçantë. I ftuar i kësaj nate për të ndezur atmosferën verore do të jetë DJ, këngëtari dhe producenti i njohur Eddy Wata. Për ata që pëlqejnë festat e bukura, e shtuna është një mundësi e mirë për të shijuar verën dhe ritmet e saj deri në orët e para të mëngjesit. AMC dhe “Bliss Night Club” do t’i ofrojnë atyre që do të kenë fatin të jenë të pranishëm të shtunën një eksperiencë ndryshe pranë detit, të mbushur me stil, ngjyra dhe tinguj muzikorë. Eddy Wata është një ndër emrat më të njohur të muzikës ritmike. Ai është ndër të paktët artistë afrikanë që ka arritur të bëhet i njohur në nivel ndërkombëtar në tregun e muzikës ritmike. Me disa prej këngëve të tij si “I love my pople”, “Jam” apo “I like the way” ai arriti të kapi majat e hit-paradave të muzikës dance jo vetëm në Evropë. Ai dallon për gërshetimin e muzikës dance me tinguj afrikane dhe xhamajkane duke e bërë muzikën e prodhuar prej tij shumë të kërcyeshme dhe te preferuar, sidomos gjatë stinës së nxehtë të verës. Të shtunën ata që do të jenë të pranishëm do të kenë mundësinë të kalojnë një natë të gjatë deri në orët e para të mëngjesit në praninë e të mirënjohurit Eddy Wata. Projekti i AMC për këtë verë parashikon një numër të madh festash me artistë dhe grupe të ftuara për të zbavitur të rinjtë kudo. Festat do të përfshijnë jo vetëm kryeqytetin dhe lokalet e Tiranës por edhe lokalet më të njohura e më të frekuentuara të bregdetit.
Ndërpriten lidhjet e paligjshme, Sauku mbetet pa ujë
Drejtoria e ujësjellësit ka prerë lidhjet e paligjshme në tubacionet e furnizimit me ujë të pijshëm të zonës së Saukut. Prej kohës banorët e kësaj zone ankohen për mungesën e ujit të pijshëm ndonëse e paguajnë rregullisht atë. Por sipas drejtorit të Departamentit të Shitjes pranë Ujësjellësit, zona e Saukut furnizohet me rreth 11 mijë metër kub ujë në ditë, të cilat përllogariten të furnizojnë rreth 70 mijë familje, në një kohë kur Sauku numëron rreth 20 mijë banorë dhe me ujësjellësin kanë kontratë vetëm 1200 abonentë. Sipas Shkëmbit, e gjithë kjo sasi shfrytëzohet nga familje që nuk kanë kontratë me ujësjellësin nëpërmjet lidhjeve të paligjshme në tubacione duke u furnizuar 24 orë me ujë të pijshëm e duke privuar familje të tjera që janë të rregullt me ujësjellësin. “Investimet që janë bërë janë dy tubacione një 400 dhe një 250 kanë shtuar furnizimin e banorëve të kësaj zone. 1000 metra kub në ditë duhet të furnizojë të gjithë banorët. Por kjo zonë ka probleme nga lidhjet e paligjshme”,- deklaroi Shkëmbi. E gjithë sasia e ujit që shfrytëzohej në mënyrë të paligjshme tashmë u kalon familjarëve që paguajnë rregullisht ujin. Sipas Shkëmbit, përveçse lidhjet e paligjshme ndërpriten, familjet që i kanë kryer ato ndëshkohen me gjobë e cila varion nga 10 deri në 50 mijë lekë. Në rast se do të përsëriten lidhjet që priten në këtë aksion, atëherë familjarët radhiten në listën për ndjekje penale. Drejtoria e Ujësjellësit u bën thirrje qytetarëve të nxitojnë të lidhin kontrata me drejtorinë e ujësjellësit, në mënyrë, që të furnizohen me ujë të pijshëm.
6 Gusht 2010