E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni i Ndërtimores, i prishin shtëpinë, gruaja me katër fëmijët tenton vetëvrasjen



TIRANË - Apel për ndihmë, të qara fëmijësh e lutje. Kjo ka qenë tabloja në një prej zonave të komunës Dajt në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur fadromat e Inspektoratit të Ndërtimit kanë shkuar për të prishur një ndërtesë pa leje. Një grua, së bashku me 4 fëmijët e saj të mitur, është ngjitur në tarracën e ndërtesës ende të papërfunduar, duke kërcënuar se nuk do të zbriste që andej dhe se preferonte të vdiste aty bashkë me fëmijët e saj, pasi nuk kishte ku të shkonte. Ajo ka kërkuar ndihmë, ka thirrur, por askush s’e ka ndihmuar. Ndërtimorët kanë thirrur në ndihmë dhe uniformat blu. Në thirrjet e saj ajo deklaroi se edhe paratë për ndërtimin e banesës i kishte marrë borxh. Çdo gjë nisi në orët e para të mëngjesit. Fadromat e Ndërtimores kanë shkuar në banesën ku ishte përcaktuar për t’u shembur, por aty janë përballur me reagimin e gruas, e cila nuk kishte ku të jetonte nëse do t’i prishej shtëpia gjysmë e ndërtuar. Ajo ndodhej në afërsi të Shkozës, pjesë e komunës Dajt në Tiranë. Por gruaja ka tentuar t’i ndalë fadromat për të prishur shtëpinë ende në ndërtim. Ajo u ngjit bashkë me fëmijët e mitur në tarracën e ndërtesës njëkatëshe dhe nuk ka lejuar që fadromat të nisnin punën. Dhe pse punonjësit kanë nisur negociatat, gruaja nuk tundej nga vendimi i saj. Ka kërkuar ndihmë, ka bërtitur se nëse do t’i prishej banesa, nuk kishte ku të jetonte, por asgjë nuk i ka ndaluar fadromat. Për disa orë punonjësit e Ndërtimores i kanë bërë thirrje gruas të zbriste nga tarraca, por kjo gjë nuk ndodhi. Në ndihmë, Inspektorati Ndërtimor ka thërritur policinë. Këta të fundit janë ngjitur vetë dhe kanë negociuar. Ajo u është lutur edhe atyre, por çdo gjë ka qenë e kotë. Policia ka zbritur katër fëmijët e mitur, ndërsa më pas fadromat kanë nisur punën për prishjen e ndërtesës. Inspektorët e ndërtimit kanë deklaruar se kjo ndërtesë është e paligjshme, ndaj kanë urdhëruar shembjen e menjëhershme të saj. Situata është tensionuar kur gruaja ka deklaruar nën lot se ka sakrifikuar mjaft duke hyrë në borxhe për të ndërtuar këtë shtëpi për fëmijët e saj. Në një prononcim për mediat, kryeinspektori i zonës, Agim Rama, u shpreh se ligji do të veprojë ndaj të gjitha ndërtimeve pa leje. Gjithçka ishte e kotë; pasi larguan fëmijët nga zona, fadroma nisi prishjen e ndërtesës edhe pse gruaja qëndronte ende mbi tarracë e mbajtur me forcë nga efektivët e policisë.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›