E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa nuk mundtë na mbyllë dyert

Në BE, vetëm Kroacia. Të tjerët duhet të presin. Ndoshta edhe për dhjetë vjet”. E thënë prerë dhe pa diplomaci nga Angela Merkel, kjo tregon se nuk ka më asnjë shans. Ballkani Perëndimor do të qëndrojë prapa dyerve të Evropës. Atje ku nuk e ka vendin, por që duhet të paguajë koston e “aftësisë thithëse” të BE, një mur berlinez ky, i ngritur me kujdes kryesisht nga diplomacia franko-gjermane. Me qëndrimin më të fundit të kancelares, duket se ndodhi ajo që pëshpëritej në këto 4-5 vitet e fundit në kanceleritë më të larta të Parisit, Bonit apo Brukselit. E futur për herë të parë në dokumentet europiane, koncepti “aftësi thithëse” ishte një “zbulim” i presidencës austriake, e cila në vjeshtën e vitit 2004 hodhi në qarkullim zyrtar termin në fjalë, i cili nënkuptonte një shtyrje pa afat të proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por, edhe pse u stampua në dokumentet dhe tryezat zyrtare të Brukselit e më gjerë, termi në fjalë në këto 4-5 vitet e fundit asnjëherë nuk u mor në konsideratë nga diplomacia e vendeve të rajonit, madje në disa raste u konsiderua si një “retorikë tipike europiane për të qetësuar qytetarin europian veçanërisht pas rrëzimit të kushtetutës së BE-së. Dhe kjo, deri pak ditë më parë, kur kancelarja Merkel u solli në kujtesë liderëve ballkanikë se ishte po e njëjta me Angela Merkelin e 2005, kur i sugjeronte vendeve aspirante për në BE, të pranonin “partneritetin e privilegjuar” dhe jo anëtarësimin. Por, duket se Merkeli i 2010-ës shkon më tej dhe korrigjon Angelën e 6 viteve më parë, kur kujtonte ftohtë se “koha ishte për stopim”. Me një fjalë, ta harroni integrimin pasi nuk janë më kushtet, kriteret dhe parametrat e dikurshëm për t’u plotësuar nga shtetet e vogla dhe të varfra të Ballkanit. Qëndrimi më i fundit i zonjës Merkel dhe i diplomacisë gjermane u është bërë i ditur në kanale të fshehta dhe në mënyrë diplomatike Tiranës, Shkupit, Podgoricës apo Beogradit. Por, jo vetëm kaq. Në terren kanë zbritur edhe ambasadorët respektivë. Dy ditë më parë ambasadori Bochard, duke shfrytëzuar një takim në Gjirokastër, edhe pse nuk foli me gjuhën e shefes së tij, nuk harroi të kujtonte se integrim do të thotë më parë merita, pra pritje dhe sërish pritje. E ndërkohë që diplomacia europiane ka filluar të lëvizë duke kristalizuar qëndrimin e saj të prerë, nga asnjë prej shteteve të mësipërme nuk është dhënë ende asnjë përgjigje zyrtare. Ndoshta sepse elitat politike do të duan ta kalojnë edhe këtë herë lumin, duke e konsideruar qëndrimin franko- gjerman si një lojë e zakonshme e aksit që bën ligjin në Europë. Por, në këtë rast fatura është e prekshme. Aq më tepër kur atë e ka prerë vetë zonja e hekurt, Angela Merkel. Vetëm kaq mjafton që të bëjë të mendosh se tani Evropa e ka seriozisht. Dhe se çelësat i janë hequr dyerve që thuhej se do të hapeshin shpejt. Me çfarë shihet, parashikimet entuziaste të Samitit te Selanikut të vitit 2003, fjalimet e shpeshta dhe shpresëdhënëse të Barrosos apo eleganca e premtimeve të komisionerit Fule, tani i takojnë një kohe tjetër. Asaj periudhe kur të gjithë kërkonin të vinin në gjumë një rajon që eksportonte pasiguri dhe stabilitet të brishtë. Por, në 2010 shumë gjera vijnë ndryshe. Tani e tutje shpejtësia e afrimit me Kontinentin do të varet nga humori i gjermanit të thjeshtë, apo i francezit nazik, por edhe nga lojërat politike që do të ndërtohen, herë në kryeqytetin francez, e në një rast tjerët në atë gjerman, britanik apo belg. Që zgjerimi ka qenë dhe do të mbetet thjesht një çështje e vullnetit politik të BE-së, kjo është vërtetuar tashmë edhe në rastin rumun e atë bullgar, vende të cila u pranuan edhe pse tërhiqnin pas gjylet e rënda të problemeve me korrupsionin, varfërinë apo dhe me treguesit mediokër të zhvillimeve social-politike të brendshme. Në ndërtesën e BE-së qarkullon një opinion sipas të cilit nxitimi gjerman për mbyllje dyersh do të thotë një kthim krahësh rajonit që vetëm, pak vite më parë ka qenë skenë e konflikteve nacionale të përgjakshme të vjetra dhe të reja. Sipas analistëve të këtij grupimi, një nxitim i tillë do të ketë një kosto. Dhe ajo do të quhet pasiguria e së nesërmes. Pasi në Bruksel e dinë tashmë se në Ballkanin e varfër, sipas të gjitha gjasave, çdo shpresë për stabilizim të qëndrueshëm do të jetë iluzive, nëse anëtarësimi në BE do të stopohet e aq më keq akoma, do të shtyhet pambarimisht ose 15-20 vjet më pas. Kjo do të thotë se vendet si Bosnja, Shqipëria, Maqedonia apo Mali i Zi, do të vijojnë të mbeten të zhytura në skamje dhe në një zhvillim të ngadalshëm ekonomik të shoqëruara ne probleme të mprehta sociale si papunësia, informaliteti, lëvizja kaotike e njerëzve dhe e krahut të punës, industri e paralizuar e jo rentabël, korrupsion e krim i organizuar. I gjithë ky peizazh i hirtë ballkanik, nuk mund të mos japë goditje dhe ta zhysë rajonin drejt të papriturave të pakëndshme, çmimi i të cilave përveçse nga Tirana, Shkupi e kryeqytete të tjera të rajonit, do të paguhet edhe nga vetë vendet evropiane. T’i thuash sot vendeve të Ballkanit se duhet ta harrojnë për një kohë të papërcaktuar ëndrrën për bashkim, do të thotë t’i shtysh ata drejt dëshpërimit, drejt venitjes së forcave dhe të shpresës. Kjo është arsyeja se përse fqinjët e skamur nuk mund të lihen sot veçmas, të dënuar në varfërinë dhe vetminë e tyre. Thasët me para dhe dhuratat nuk janë zgjidhja më e mirë, sepse Ballkani, përpara së të konsumojë karamelet evropiane, ka nevojë të ndihet se është duke u futur brenda oborrit të madh të Evropës së qytetëruar.
(GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›