Zhvillohet në Manastir konferencë për integrimin e rajonit në NATO
Në Manastir të Maqedonisë ka nisur dje punimet konferenca për integrimin e rajonit në NATO. Në këtë konferencë dyditore marrin pjesë ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë, Sllovenisë, Turqisë, si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Në listën e pjesëmarrësve nuk figuron Kosova. Mikpritës i takimit është ministri maqedonas i Mbrojtjes, Zoran Konjanovski. Temë kryesore e konferencës është rëndësia e integrimit të vendeve të rajonit në NATO, si dhe perspektiva rajonale. Maqedonia e vlerëson shumë të rëndësishëm një sensibilizim rajonal për integrimin në NATO për shkak të vetos greke që ka bllokuar këtë proces pas mosmarrëveshjeve mes dy vendeve lidhur me emrin.
Berisha takon kryetarin e Partisë Demokracia e RE në Maqedoni
Kryeministri Berisha priti dje në një takim kryetarin e Partisë Demokracia e RE në Maqedoni, zotin Imer Selmani. Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Maqedoni, z. Imer Selmani, i shprehu kryeministrit Berisha kënaqësinë e tij për lajmin shumë të mirë për shqiptarët, vendimin e KE-së për liberalizimin e vizave, si dhe vlerësoi zhvillimet pozitive në rrugën e reformave në Shqipëri. Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen, u shpreh se ndjek me vëmendje dhe interes zhvillimet në Maqedoni dhe theksoi se qeveria shqiptare mbështet integritetin dhe stabilitetin e Maqedonisë, në interesin më të mirë të shqiptarëve dhe të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, si dhe në interesin më të mirë të të gjithë rajonit. Bashkëpunimi mes forcave politike shqiptare në Maqedoni dhe forcave politike maqedonase, nënvizoi kryeministri Berisha, është shumë i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje shumë pozitive dhe një dokument shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët të Maqedonisë, i cili sanksionon të drejtat e shqiptarëve. Kryeministri Berisha tha se mbetej i hapur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike shqiptare në Maqedoni, të cilat në interesin më të mirë të qytetarëve të Maqedonisë duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët të dialogut politik në vend.
1 Qershor 2010