E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europarlamentari Cavusoglu: Inkurajuese gjetja e rrugë-zgjidhjes në tryezën e partive

"Opozita të respektojë rekomandimet e KiE; rikthimi në Kuvend dhe ngritja e komisionit hetimor, aspektet kyçe të zgjidhjes së situatës"


Përfaqësuesit e lartë të delegacionit të Këshillit të Evropës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, takimet konsultative me krerët e lartë të shtetit dhe politikës shqiptare. Të dërguarit evropian takuan fillimisht Presidentin e Republikës Bamir Topi, takim ky që zgjati më shumë se 60 minuta. Më pas delegacioni i përbërë nga 10 komisionerë takoi edhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Ndërkaq, ka përfunduar para pak minutash takimi edhe me kryeministrin Sali Berisha. Lidhur me këtë takim, kreu i qeverisë Berisha ka bërë me dije se delegacioni është njohur me situatën dhe se është diskutuar mbi mundësitë e zgjidhjes së saj brenda kornizës ligjore. Pas takimeve me tre krerët e shtetit, grupi i të dërguarve të Këshillit të Evropës ka në dispozicion 2 orë për të drekuar. Në këto momente delegacioni ka filluar takimin me kryetarin socialist, Edi Rama dhe drejtues të tjerë të partisë në opozitë. Delegacioni do të rikthehet rreth orës 17.00 në Presidencë, ku për rreth një orë do të kenë një takim përmbledhës me Presidentin Bamir Topi, që tashmë është pozicionuar në rolin e negociatorit.


Topalli: Ngritja e komisionit hetimor, pa shkelur kushtetutën dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese/Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, gjatë takimit të zhvilluar me përfaqësues të lartë të delegacionit të Këshillit të Evropës, ka deklaruar se mazhoranca është e gatshme që të zbatojë me përpikmëri rekomandimet e rezolutës së KiE-së, për të ngritur komisionin hetimor, por vetëm në përputhje me vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese. Duke informuar të dërguarit evropianë, Topalli u shpreh se shumica parlamentare pranon çdo diskutim me pakicën, për zgjidhjen e situatës, nëse nuk shkelet verdikti i gjykatave. Në njoftimin për shtyp nga zyra e medias pranë parlamentit thuhet se gjatë bashkëbisedimit Kryetarja e Kuvendit vlerësoi miratimin e rezolutës nga KiE, rikonfirmoi vlerësimin për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet, si edhe deklaratën më të fundit të bërë nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Soares. Sipas zonjës Topalli zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ishin procesi më i mirë zgjedhor në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri dhe “çdo përpjekje që cenon këtë arritje të madhe të Shqipërisë duhet konsideruar si përpjekje kundër interesave dhe aspiratave të popullit shqiptar”. Në këtë kuadër zonja Topalli tha se ishte e angazhuar për të garantuar si dhe për të mbrojtur Kushtetutën, parlamentarizmin dhe shtetin ligjor dhe se bojtoki i opozitës ishte dënuar dhe nga ndërkombëtarët. “Bojkoti i opozitës është një mohim i demokracisë, është një praktikë e dënueshme dhe si e tillë është konsideruar nga të gjithë dokumentat e institucioneve ndërkombëtare. Ajo informoi dhe për përpjekjet e saj insitucionale për të komunikuar me çdo deputet të opozitës, duke i ftuar ata të respektojnë Kushtetutën dhe mandatin që i ka dhënë populli”, ka deklaruar kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.


Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE, Cavusoglu: Inkurajuese gjetja e rrugë-zgjidhjes në tryezën e partive/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut Cavusoglu, u shpreh se gjetja e një kompromisi mes palëve nëpërmjet tryezës së partive, do të ishte inkurajuese për kapërcimin e ngërcit politik. Cavusoglu vlerëson rolin e kreut të shtetit dhe të krerëve të forcave politike, Berisha e Rama, në këtë proces, sipas rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Përmes një njoftimi të shpërndarë nga zyra e shtypit e Presidencës, thuhet se kreu i shtetit ka bërë një panoramë të gjendjes politike në vend, por përqendrimin kryesor kjo bisedë mes personaliteteve të larta e pati në zhvillimin e tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Lidhur me këtë, Presidenti Topi vuri në dukje dhe vlerësoi vullnetin politik të palëve për arritjen e një zgjidhjeve konstruktive që do i shërbente jo vetëm përmirësimit të klimës politike në vend, por në radhë të parë konsolidimit të demokracisë shqiptare dhe të imazhit të jetës institucionale në Shqipëri, po ashtu dhe interesave madhorë të qytetarëve shqiptarë. Kryetari i Shtetit theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij në këtë drejtim, duke përdorur të gjithë mekanizmat kushtetuese dhe institucionale për arritjen e një rezultatit pozitiv. Presidenti Topi vuri në dukje gjithashtu se gjatë takimeve dhe diskutimeve në kuadër të tryezës politike, palët u janë referuar në mënyrë të veçantë pikave të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Më pas Presidenti Topi dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Presidencial shkëmbyen mendime dhe pikëpamje rreth mundësive të gjetjes së pikëtakimeve mes mazhorancës dhe opozitës dhe zgjidhjes përfundimtare të ngërçit politik që ka mbërthyer skenën politike dhe disa institucione të vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›