E Diel, 1 Nëntor 2026

Media italiane përzgjedh Shqipërinë, si destinacionin turistik të 2010-s

Ofertat e shoqërive më të mëdha turistike, në një analizë të së përditshmes “La Repubblica” përcaktojnë Shqipërinë si adresa turistike më e favorshme për turistët evropianë, gjatë 20101-s. Pasuria historike dhe arkeologjike si dhe çmimet e favorshme përcaktohen si pikat e forta të ofertës së Shqipërisë, e cila u paraqit zyrtarisht edhe në panairin e Milanos

Shqipëria është dashuria e re mesdhetare. Turizmi shqiptar po njeh një ngritje të stabilizuar të cilësisë. Ky lajm u konfirmua më së miri në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Milano të Italisë (18-21 shkurt, 2010), ku Shqipëria u përvijua të ishte një nga vendet me atraksionin më të lartë turistik. Infrastruktura turistike po ndryshon çdo ditë. Shqipëria ka hyrë me sukses në hartën turistike të kontinenti e specifikisht të rajonit ballkanik. Promovimi i vendit tonë në panairet ndërkombëtare të turizmit ka zgjuar edhe më shumë interesin e evropianëve për të njohur bukuritë që ofron Shqipëria: det akoma i paprekur, dëshmi kulturore me rëndësi, vende arkeologjike, interesant si ai Durrësit dhe Butrintit, por edhe një klimë sociale që fton mikpritjen tipike mesdhetare. Mirëpo nuk mjaftohet me kaq. Shqipëria turistike synon më lart, ajo ka ndërmend të luajë një rol të rëndësishëm në tavolinën e turizmit ndërkombëtar, së bashku më mikpritjen e gjallëruar, që numëron qindra struktura të nivelit të lartë dhe një program efikas të rikualifikim të atyre të vjetra. Vëmendja që po pushton Shqipëria në mediet e huaja, sidomos atyre që ka një sy për turizmin, është gjithmonë e prekshme kohët e fundit. Ekspertë të revistave prestigjioze të turizmit ndërkombëtar e kanë cilësuar Shqipërinë si një vend i mrekullueshëm që ofron një varietet të madh atraksionesh historike, kulturore dhe natyrore me interes për një gamë të gjerë vizitorësh. “Ajo çka është më e rëndësishme, Shqipëria është një vend unik por që ofron mundësi të mëdha për investime në industrinë e turizmit”.Pjesëmarrës në këtë event janë tour - operatorë, agjenci udhëtimi, kompani ajrore nga Italia dhe vende të ndryshme të Europës dhe si i tillë është një pikë e rëndësishme kontakti për bizneset tona, të cilat operojnë në industrinë e turizmit por edhe një shans i mirë për promovimin e imazhit të Shqipërisë. Interesi i gjerë i publikut dhe i operatorëve të shërbimit turistik ndërkombëtar ishin në gjurmim të ofertave dhe të “risisë turistike”. Në ditën e parë të hapjes së panairit ndërkombëtar njerëzit të ndryshëm ishin kuriozë për të mrekullitë që ofronin vendet e Ballkanit. Sigurisht, në këtë panair ata gjetën stendën gjigante të Agjencisë Kombëtare të Turizmi, si ofruese dhe promovuese e destinacioneve të ndryshme turistike në vendit tonë. Entuziazmi në promovimin e mrekullive kombëtare zgjoi kureshtjen e vizitorëve në këtë takim të rëndësishëm promovimi në plan europian.
Risia e turizmit të vendit tonë është njohja e pakët që rrjeti i gjerë turistik ndërkombëtar ka për vendet e ish-bllokut komunist. Në të kaluarën izolimi komunist i Shqipërisë kishte bërë të mundur harresën e mrekullive mesdhetare që ofron vendi ynë. Gjithsesi kohën e humbur e kemi rikuperuar më së miri. Sot në Mesdhe vendi ynë është nga të vetmit që ka akoma një natyrë të virgjër dhe të pahelmuar për destinacionet turistike. Shqipëria si shkak i pozitës së saj gjeografike, klimës, bukurive natyrore dhe trashëgimisë së pasur historike e kulturore ofron një potencial të rëndësishme për zhvillimin e industrisë së turizmit. Klima e butë dhe e favorshme bën që vendi të jetë destinacion turistik gjatë 12 muajve të vitit. E përditshmja prestigjioze “La Repubblica”, në një shkrim të posaçëm raportonte lidhur me “kufijtë e rinj” të turizmit: “Jo vetëm Afrika e Jugut dhe Kupa e saj e Botës në futboll janë destinacione turistike. Përkundrazi, përveç kësaj adrese të largët, janë pavionet e vendeve të vogla por afër nesh, që u vunë në qendër të vëmendjes. Tashmë po vihet re një interes më i madh i publikut dhe i agjencive turistike për adresat e "reja". Destinacionet e reja, edhe pse pak të njohura si rrugë, megjithë ndonjë deficit në luksin e festave, ofron privilegjin e pasurisë në histori apo kulturën lokale, për natyrën e pazbuluar, e cila të shpëton nga andrallat e turizmit masiv, fort bezdisës tek disa vende afrikane apo aziatike”. Duke analizuar pikërisht këto “kufij të rinj” për 2010-n, e përditshmja “La Repubblica” numëron: “Shqipëria, shtetet baltike, Palestina, Kamboxhia, Etiopia, Nepali, Sudani, Uganda...”.
Gjatë viteve të fundit, turizmi shqiptar po jeton një ngritje të vazhdueshme duke u përqendruar në ofrimin e produkteve të ndryshme turistike si turizmi i "diellit dhe detit", " turizmi kulturor", etj. Turizmi po e ndihmon ekonominë shqiptare të galopojë, të ndërtojë infrastrukturën, të restaurojë monumentet dhe rrënojat historike, duke i ridhënë dritë kulturës dhe historisë së saj, duke krijuar mijëra vende pune dhe biznese që kanë investuar në turizëm. Turizmi është një aset i rëndësishëm dhe zë vendin e parë të prodhimit të brendshëm bruto.Viti 2009 ka qenë një vit i suksesshëm për këtë sektor. Numri i vizitorëve për qëllime turizmi është rritur 36 %, në krahasim me vitin që shkoi.
Përgatiti L.Lita

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›