E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shpreha disponibilitetin e mazhorancës për çdo çështje bilaterale që lidhet me procesin zgjedhor

Kreu i qeverisë informon detajet e takimit me të dërguarit evropianë Kryeministri Sali Berisha informoi sot para deputetëve të Partisë Demokratike, në mbledhjen e grupit parlamentar, lidhur me takimin e zhvilluar me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kryeministri e konsideroi takimin si tepër të frytshëm ndërsa theksoi se mazhoranca u shpreh e gatshme për të zgjidhur bashkë me opozitën çdo çështje bilaterale. “Në takimin tim e falënderova shumë Këshillin e Evropës për mbështetjen e madhe që i jep Shqipërisë, për rezolutën, por edhe për delegacionin, i cili ka ardhur në frymën e rezolutës që të ndihmojë me praninë e tij dhe me mendimet e tij zhvillimet pozitive në vend. Takimi ishte i hapur, i frytshëm, dhe shpreha në këtë takim disponilitetin e plotë të koalicionit qeveritar. Diskutuam të gjitha problemet bilaterale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në Shqipëri”, u shpreh kryeministri Berisha, para deputetëve demokratë. Duke iu referuar procesit të integrimit, shefi i ekzekutivit, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së finalizimin sa më të shpejt të përgjigjeve të pyetësorit të BE-së. Ai tha se javë pas jave do analizohen kapitujt deri sa të arrihet përgjigja e 2883 pyetjeve. “Javë pas jave do analizohen kapitujt derisa të arrijnë në përgjigjen e 2883 pyetjeve të ndara në 35 kapituj. Shpresoj që puna të ecë shumë mirë dhe ne ta finalizojmë këtë proces, më të rëndësishmin në historinë e raporteve me BE dhe t’ia dorëzojmë Komisionit Evropian në një afat 15-20 javë pas përfundimit të plotësimit të pyetësorit”, deklaroi kreu i qeverisë, Berisha. Kryeministri pohoi se numri i specialistëve të angazhuar për përgjigjet është rritur. “Nuk janë 410, por mbi 1000 specialiste të të gjitha fushave të angazhuar në këtë proces, po ashtu edhe ekpsertë të huaj të vendeve të tjera që asisojnë grupet e punës”, theksoi Berisha. Lidhur me liberalizmin e vizave, kryeministri tha se për më shumë se 3 javë, por edhe gjatë kësaj jave një grup ekspertësh do miratojë plotësimin e kërkesave për heqjen e vizave. “Gjatë këtyre 2-3 javëve dhe këtë jave do ketë një numër të lartë të ekspertëve që do kontrollojnë të gjitha praktikat, kërkesat e udhërrëfyëesit për heqjen e vizave”, shtoi më tej, kryeministri Sali Berisha.


Fjala e plotë e kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD:

“Të nderuar deputete dhe deputetë. Së pari dëshiroj t’ju përshëndes, sikundër t’ju informoj se ritmet e punës me pyetësorin, janë ritme intensive. Në Komitetin Ndërministror të Integrimit, javën që kaloi, ne shqyrtuam, një nga një, 7 kapituj, të cilët kishin të bënin me transportin, financat, bankën, doganat, peshkimin, pra, ishin të fushave të ndryshme. Ajo çka spikati në analizën e këtyre 7 kapitujve ishte serioziteti i madh, me të cilin institucionet shtetërore të vendit kishin trajtuar problemet e shtruara në këta kapituj, të cilat përbënin 1/5 e pyetësorit. Ditën e shqyrtimit të këtyre 7 kapitujve kanë qenë të gatshëm për shqyrtim kanë qenë të gatshëm për shqyrtim edhe 10 të tjerë, të cilët do të merren këtë javë.
Javë pas jave, do të analizohen kapitujt, deri sa të arrijmë në përgjigjen e 2283 pyetjeve, të ndara këto në 35 kapituj. Shpresojmë që puna të ecë shumë mirë dhe ne ta finalizojmë këtë proces, më të rëndësishmin në historinë e marrëdhënieve tona me Bashkimin Evropian dhe t’ia dorëzojmë Komisionit Evropian në një afat 15 deri në 20 javë, pas dorëzimit të tij autoriteteve shqiptare nga Komisioni. Kjo përbën edhe punën më voluminoze. Dua t’ju informoj se jo 410 sa ishin në fillim, por janë mbi 1000 specialistë të të gjitha fushave të angazhuar në këtë proces, sikundër janë edhe 27 ekspertë të huaj të vendeve mike që asistojnë grupet tona të punës, në përgjigjet e duhura.
Një problem tjetër që po ecën, do të thosha me vendosmëri të madhe, është edhe çështja e heqjes së vizave. Gjatë këtyre 2-3 javëve ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë në vijim, një numër shumë të madh ekspertësh të vendeve anëtare të BE-së dhe të Komisionit Evropian, që po kontrollojnë në vend, po testojnë të gjitha praktikat, kriteret, kërkesat e udhërrëfyesit për heqjen e vizave. Ajo çka vihet re, është një punë shumë serioze në plotësimin dhe zbatimin e këtyre kërkesave. Shqipëria që lëshoi pasaportën e parë biometrike në maj të këtij viti, sot, ka të lëshuara mbi gjysmë milioni pasaporta të standardit më të mirë në botë. Kryeministri belg më foli me superlativat më të mëdha për cilësitë e kësaj pasaporte. Një student shqiptar, i cili kualifikohej në Boston për financë, të cilin unë e prita gjatë qëndrimit tim në Nju Jork, do të më shprehej se momentet e krenarisë së tij të madhe që ai kishte ndier, ishin kur polici kishte parë pasaportën dhe i kishte thënë se ne një të tillë nuk e kemi. Ai e kishte pyetur se nga ishte. Studenti i ishte përgjigjur se ishte nga Shqipëria dhe ishte ndier shumë krenar me cilësinë e dokumentit të identitetit. Krenaria e tij e dytë ishte profesionale: Sali Berisha i ftuar ne bursën amerikane NASDAQ. Ai studionte për financë dhe NASDAQ për të ishte shtylla e botës. Në fakt ai është i tillë dhe jo vetëm për të. Dua të them me këtë se plotësimi i kushteve po ecën shumë mirë.
Së treti, më duhet t’ju informoj se sapo përfunduam një takim me Delegacionin e Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Kryetari i Asamblesë Parlamentare të KiE z. Mevlüt çavuşoğlu, që quhet në këtë rast, për sa i përket formimit të tij, Komiteti Presidencial. Në takimin tim unë e falënderova shumë Këshillin e Evropës, për mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë; për rezolutën, por edhe delegacionin, i cili ka ardhur në frymën e rezolutës të ndihmojë me praninë e tij dhe mendimet e tij, zhvillimet pozitive në vend. Unë mendoj se takimi ishte një takim shumë i hapur, i gjerë, i frytshëm dhe shpreha në këtë takim disponibilitetin e plotë timin, të qeverisë, të koalicionit qeveritar për të trajtuar në mënyrën më serioze, më konstruktive të gjitha problemet bilaterale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në Shqipëri.
Unë mendoj se këto ishin çështjet më kryesore, që unë desha të sjell në vëmendjen tuaj para mediave, të cilat dua t’i falënderoj për interesin që dëshmuan për këtë mbledhje”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›