E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europiani, Tabaku e Karina synojnë medalje në Suedi

Pas medaljeve të fituara nga Briken Calja (bronz në shkëputje) dhe Daniel Godelli (dy bronze në shtytje dhe dygarësh), tashmë është radha e dy peshëngritësve të tjerë shqiptarë që të synojnë podiumin. Bëhet fjalë për Ervis Tabakun dhe Endri Karinan, të cilët do të hipin sot në pedanë në konkurrimin për peshën 94 kg të Europianit për të Rinj që po zhvillohet në Landskrona të Suedisë. Sipas peshave të deklaruara përpara garës, Tabaku synon të ngrejë në total 360 kg: me këtë peshë në dygarësh, ai do të ishte fitues i medaljes së artë. Ndërsa 20-vjeçari Karina synon të ngrejë minimalisht 355 kg dhe pritet të rivalizojë me rusin Gagolev për argjendin. Gjatë ditës së djeshme konkurroi vajza e vetme shqiptare pjesëmarrëse në këtë aktivitet. Bëhet fjalë për Sherjana Rusin në 58 kg, që u rendit e gjashta në shkëputje, me 76 kg. Kjo ishte pesha e vetme që 16-vjeçarja realizoi, pasi ai dështoi në dy provat e tjera në shkëputje dhe në tri provat në shtytje, duke mos u klasifikuar në renditjen finale të dygarëshit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›