E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Përdhunimi" i vlerave shoqërore

Që nga 15 korriku, kur Brukseli shpalli vendimin për liberalizimin e vizave me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, duke përjashtuar Shqipërinë e Bosnjë-Hercegovinën, për shkak të mosplotësimit të kritereve, Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, po e vazhdon shakanë e tij me shqiptarët. Duke treguar edhe një herë vullnetin e qeverisë (në detyrë), për të përfituar një regjim pa viza, kreu i qeverisë propozoi hartimin e një ligji, që lejon martesën midis individëve të të njëjtit seks, duke e konsideruar këtë si një ndër shkaqet kryesore të përjashtimit të qytetarëve shqiptarë nga lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Europian.

Kushtet e Unionit Europian për lëvizjen e lirë si: pajisja e të gjithë qytetarëve me pasaporta biometrike, plotësimi i standardeve në zgjedhjet e 28 Qershorit, respektimi i pavarësisë së pushteteve, lufta kundër korrupsionit, beteja kundër trafikut të qenieve njerëzore, por dhe lëndëve narkotike, janë botërisht të ditura e të trajtuara gjerësisht edhe në media nga analistë e politikanë.

Zhvendosja e vëmendjes në nisma të tilla "thelbësore", si hartimi i një ligji për martesën e gay-ve dhe lesbike-ve veçse do ta lëkundë sistemin e vlerave në shoqërinë tonë. E si mund të jetë kriter i Brukselit martesa e individëve të të njëjtit seks, kur vetëm pesë vende të familjes europiane (Belgjika, Spanja, Holanda, Suedia dhe Norvegjia jo-anëtare), e kanë një ligj të tillë?!

Shpresojmë që ajo deklarata e dy ditëve më parë, të mbetet thjesht një batutë e Kryeministrit, ashtu sikurse krijoi thjesht vetëm ilaritet te ministrat e kabinetit të tij.

Fatmirësisht, edhe pas gati 20 vitesh të hapjes së kufijve, familja mbetet ende qeliza bazë e shoqërisë shqiptare. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Shqiptarët, si një vend me identitet europian, tiparet e të cilit u kanë rezistuar evolucioneve shoqërore, periudhës së pushtimeve dhe diktaturës 50-vjeçare, gjithnjë e më shumë kanë kuptuar se emancipimi arrihet duke u bazuar te ruajtja e gjuhës, mbrojtja e vlerave dhe e normave të shoqërisë (me bazë te familja), ruajtja e simboleve e miteve etj.

Sikurse thekson edhe profesori i njohur, Huntington, shtetet e dala nga një sistem diktatorial (si Shqipëria), e që aspirojnë për t‘u integruar në një qytetërim perëndimor, duhet ta realizojnë atë qëllim, pikërisht duke u bazuar te vlerat e tyre kulturore e shoqërore. Ata që mohojnë këto vlera, mohojnë familjen e tyre, trashëgiminë dhe kulturën e tyre. Ato mohojnë vetveten!

Vendet që kanë sisteme vlerash të përbashkëta janë më të prirë që të bashkëpunojnë mes tyre. Kjo do të thotë se Shqipëria, një shtet me identitet europian, e gjen vetveten te qytetërimi perëndimor.

Për të folur më shkoqur, Shqipëria e ka zgjedhur rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Gjithçka që duhet bërë, për të hequr regjimin e vizave, është vetëm plotësimi i disa kushteve, sikurse bëri Shkupi, Podgorica dhe Beogradi zyrtar. Brukseli nuk kërkon "heroizma". Ai po na kërkon të identifikohemi si qytetarë, kriteri më elementar për një shtet me demokraci të konsoliduar.

Po krijohet ideja (me tendencë ose jo), sikur duhen injektuar ligje kundër vlerave tona morale e shoqërore. Brukseli nuk kërkon "përdhunimin" e vlerave. Ai na kërkon të mos e mohojmë vetveten.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›