E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia Rrugore: Aksi ku ndodhi aksidenti, i pajisur me sinjalistikë të rregullt

22-05-2012 / Gazeta 55

Grupi i ekspertëve vazhdon hetimet në vendngjarje 

 “Aksi rrugor ku ka ndodhur aksidenti ishte i pajisur me sinjalitikën e duhur paralajmëruese. Po kështu ishte i pajisur dhe me mbrojtësen anësore metalike standarde, ndriçues fosforeshent anësor përgjatë gjithë kthesës në të dy anët e rrugës, asfalti ishte i thatë, i pastër dhe pa mbetje”, deklaroi për mediat ndër të tjera  Drejtori i policisë së qarkullimit rrugor, Vullnet Topalli. 

Sipas tij, “nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit, shtetasi Pëllumb Çela ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse, të klasit DE, që në vitin 1999 dhe kjo leje drejtimi ishte rinovuar deri në vitin 2014. Ndërkohë që automjeti në fjalë ka rezultuar të ketë kryer kontrollin e fundit teknik me datë 26.04.2012”.

Grupi i ekspertëve 

Ekipi i prokurorëve dhe specialistëve të fushës kanë nisur hetimet dhe kqyrjen e vendit, ku ndodhi tragjedia, ku gjetën vdekjen 13 persona. Mësohet se hetimet kanë nisur herët në mëgjes, kur prokurorët dhe ekspertë të policisë rrugore, po kryejnë matjet në vendngjarje, mbledhjen e provave të nevojshme që do të ndihmojnë në zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, si verifikimin e parametrave të autobusit. Në bazë të informacioneve praparake, një ndër shkaqet që mendohet se ka shkaktuar aksidentin tragjik është mungesa e frenave të mjetit. Hetimet po vijojnë me intesitet nga grupi i ekspertëve. Aksi rrugor, në të cilin ndodhi ky aksident raportohet se është i lirë për qarkullimin e mjeteve. Por, sipas raportimeve, nëse hetuesit do ta shohin të nevojshëm për të kryer detyrën, atëherë do ta bllokojnë këtë segment të rrugës. Autobusi ishte prodhim i viti 1988 dhe i përkiste shoqërisë “Llixha”. Nga verifikimt paraprake rezulton se dokumentacioni i këtij mjeti ishte i rregullt dhe konkretisht kontrolli teknik i tij ishte bërë në datë 26 .04.2012. Rreth orës 16 e 15 minuta të ditës së hënë u raportua se në aksin rrugor Vlorë-Himarë, në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë El 2274 B, me drejtues shtetasin Pëllumb Çela, vjeç 55, me të cilin po udhëtonin disa studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ka dalë nga rruga. Ndihma e parë është dhënë nga banorët e zonës, ndërkohë që menjëherë pas marrjes së informcionit, janë nisur drejt vendit të ngjarjes forca të shumta e tyë specializuara të policisë dhe zyrtarë të lartë të shtetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›