Eurovizioni, asnjë shtet debutues për këtë vit
Pak kohë më parë është shpallur edhe lista e shteteve që do të marrin pjesë në Festivalin Evropian të 2009-ës që do të mbahet në Moskë. Në këtë konkurrim, Shqipëria do të përfaqësohet me këngëtaren e re, një produkt i "Etheve", Kejsi Tola. Por ndërsa është bërë gati lista, në sitin zyrtar të Eurovizionit njoftohet se këtë vit nuk ka asnjë shtet që merr pjesë për herë të parë në këtë edicion. Është vetëm Sllovakia që rikthehet pas pjesëmarrjes së vitit 1998. Ndërsa është njoftuar se Gjeorgjia dhe Letonia konkurrojnë si pjesë e Rusisë. Që prej 2002-it, çdo vit në Eurovizion ka pasur nga një e më shumë shtete debutuese. Në vitin 2003 ka qenë Ukraina që i është bashkuar konkurrimit për herë të parë. Zunë vendin e 14-të me 30 pikë të marra. Pjesëmarrja e Ukrainës u quajt si një nga më të suksesshmet. Në vitin 2004 ata fituan vendin e parë dhe këto dy vitet e fundit kanë zënë vendin e dytë. Në 2004-ën ishte Shqipëria, Andorra, Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi që provuan për herë të parë konkurrimin. Shqipëria u përfaqësua me Anjeza Shahinin dhe vazhdon edhe sot të jetë pjesëmarrëse në këtë festival. Pas vitit 1994( shtatë shtete hynë në konkurrim: Estonia, Hungaria, Lituania, Polonia, Rumania, Rusia dhe Sllovakia) ky ishte viti më i madh i debutimeve. Në 2005-ën ishin Bullgaria dhe Moldavia që iu bashkuan konkurrimit. Moldavia arriti që të bëhej pjesë e dhjetëshes finaliste. Armenia merr pjesë për herë të parë në Eurovizion në 2006-ën. Tradita vazhdoi në 2007-ën me konkurrimin e Gjeorgjisë dhe Republikës Çeke, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi konkurruan si dy shtete më vete. Vitin e shkuar ishte Azerbajxhani dhe San Marino që morën pjesë për herë të parë në Eurovizion. Kjo vijueshmëri do të prishet këtë vit, ku në Eurovizion nuk do të ketë asnjë shtet debutues.