Eurozimi, ekspertët: Kostot i paguan konsumatori
Shqiptarët mund të jenë ndër konsumatorët e vetëm në botë, që paguhen në lek dhe i blejnë produktet kryesore në një monedhë tjetër, siç është euro. Bëhet fjalë për pasuritë e patundshme, makinat, studimet, udhëtimet, madje edhe veshjet. Një ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani e konsideroi përdorimin e tepër të valutës një dobësi të ekonomisë. Ndërkohë, që ekspertët shpjegojnë se eurozimi i ekonomisë është me kosto për konsumatorët, ndërsa mbron tregtarët nga rreziku i kursit të këmbimit. “Shkalla e penetrimit të valutës së huaj shkon diku te 40%, që konsiderohet një nivel relativisht i lartë. Aspekti më negativ është se operatorët ekonomikë në Shqipëri, nuk mund të detyrohen në asnjë lloj forme që të zgjedhin se në cilën monedhë mund dhe duhet t’i kryejnë shërbimet”, u shpreh Elvin Meka, ekspert i Ekonomisë. “Një pjesë e rëndësishme e disa shërbimeve, ose blerjeve të mëdha, ku futen apartamentet, ku futen makinat apo edhe mallra të zakonshme, kanë filluar dhe jepen në euro. Kjo sepse në rreth 70% të tregtisë, kryesisht importe, i bëjmë me vendet e BE që e kanë euron si monedhë. Tregtarët e bëjnë për të mos ndjerë pasojat e ndryshimit të kursit të këmbimit. Nga ana tjetër është edhe një lloj entuziazmi që ne shpeshherë e kemi ushqyer, duke qenë në rrugën e integrimit europian shumë shpejt do bëhemi pjesë e zonës euro”, tha Adrian Civici, ekspert i ekonomisë.