E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i pronave, në garë 1012 kërkesa për 1 miliardë lekë

Përfundoi faza e pranimit të kërkesave për kompensimin e pronave nga fondi 1 miliardë lekë që vë në dispozicion buxheti i këtij viti. Në përfundim të këtij procesi, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njoftoi dje se ka regjistruar në total 1012 kërkesa për kompensim prone, që u përkasin të gjitha qarqeve të vendit. AKKP sqaroi dje, me anë të një njoftimi zyrtar se, me datë dy ditë më parë ka përfunduar procesi i pranimit dhe regjistrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuar për kompensim në të holla, nga fondi i vitit 2011. Ky proces, konform pikës 8 të VKM nr.192, datë 09.03.2011 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2011” ka filluar ditën e hënë në datë 28 mars të këtij viti dhe ka vazhduar për 1 muaj kalendarik. Procesi i pranimit dhe regjistrimit të kërkesave është bazuar në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar dhe në VKM nr.192, datë 09.03.2011 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2011”. Gjatë periudhës në vijim, në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar dhe VKM nr.192, datë 09.03.2011 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2011”, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të vijojë me procesin e shqyrtimit administrativ të tyre. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tiranë me këtë rast falenderon të gjithë subjektet aplikuese për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur për përmbylljen me sukses dhe korrektësi të procesit të pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla të pronës. Bazuar në rregullat dhe kriteret, për shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2011, të miratuara me vendim qeverie, përfitojnë kompensim, subjektet e shpronësuara që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet. Nga fondi i vitit 2011 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë. Kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›