E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurostat: Greqia nuk e respektoi kufirin e borxhit

Deficiti shtetëror grek është me sa duket më i lartë se sa mendohej. Por edhe Portugalia ndodhet në gjendje më të keqe financiare nga sa pritej. Shuma që i mungoi buxhetit shtetëror të Greqisë, në vitin 2010, kap një shifër prej 10,5 % të prodhimit të brendshëm bruto, njoftoi Eurostati, Autoriteti Europian i Statistikave me seli në Luksemburg. Kjo shifër do të thotë 1% më shumë se kishte planifikuar qeveria në Athinë, e cila mendonte se deficiti do të ishte 9,4%. Ministri grek i Financave, Jorgos Papakonstantinu, kishte thënë që në mars se deficiti për vitin 2010 do të jetë më i lartë nga sa mendohet. Sipas rregulloreve të BE-së, deficiti nuk lejohet të kalojë 3%. Këto të dhëna janë një goditje për Greqinë, e cila për shkak të gjendjes së saj të vështirë mori vitin e kaluar prej BE-së dhe FMN-së një paketë ndihmash prej 110 miliardë eurosh borxh, për të shpëtuar nga falimentimi shtetëror. Pas botimit të statistikave të Autoritetit Europian të Statistikave, ministria greke e Financave deklaroi se, shkak për deficitin është "recesioni i ekonomisë greke që është më i rëndë nga sa pritej dhe që ndikoi edhe në të ardhurat prej taksave dhe të kontributeve për sigurimet shoqërore. "Sipas statistikave të BE-së, mali i borxheve greke kap një shumë prej rreth 328,6 miliardësh euro. Për këtë shkak, aktualisht po flitet për një ristrukturim të borxhit grek. Gjithsesi disa ekspertë, ndër ta edhe Presidenti i Bankës finlandeze të Emetimit, Erki Likanen, mendojnë se as edhe një hap i tillë nuk mund t'i zgjidhë problemet e Greqisë. Për sa i përket deficitit shtetëror, Greqia ndër shtetet e BE-së renditet e dyta pas Irlandës (32,4 %). Pas Greqisë renditen Britania e Madhe (10,4 %), Spanja (9,2 %) dhe Portugalia (9,1 %).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›