Vendimi, gati zgjidhja e 38 kontratave koncensionare
Kontratat koncensionare të HEC-ve të vogla zgjidhen për 8 kompani, nëse nuk paguajnë gjobat 2.5 milionë lekë për 30 ditë, ndërkohë që 30 kompani të tjera janë paralajmëruar dje, sipas një vendimi që ka marrë Ministria e Energjetikës
Kontrata e rreth 38 subjekteve që kanë marrë me koncesion ndërtimin e disa HEC-ve të vegjël rrezikohen seriozisht nëse nuk shlyejnë gjobat në kohë, ndërsa 8 prej tyre kanë vetëm një muaj afat. Ministria e Energjetikës ka njoftuar dje nëpërmjet burimeve zyrtare, se nëse për 30 ditë nuk shlyhen gjobat, që arrijnë deri në 2.5 milionë lekë të reja, do të kërkohen kamatat për vonesa dhe zgjidhja automatike e kontratës. Subjektet që janë penalizuar janë: Tulla T sh.p.k; Belesove shpk; By Best Duty Free & Vortex; Çaushi K; Komp Energi shpk; Stgc Corp inc; Merga & Shansi invest & Lala shpk; Qeramika e Jugut shpk. Shumat e penaliteteve për këto subjekte shkojnë deri në 2 547 400 lekë. Janë paralajmëruar edhe 30 subjekte të tjera, për mosrespektim afatesh. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, vendosi dje marrjen e masave për disa shoqëri konçensionare, të cilat nuk kanë plotësuar detyrimet e përcaktuara në kontratat koncensionare që kanë lidhur me METE për ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri. Pas disa paralajmërimeve që janë bërë nga ana e METE, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, vendosi dje aplikimin e penalitetit për këto shoqëri koncensionare, si rezultat i mos respektimit të afateve. Këto shoqëri janë njoftuar që në muajin shkurt mbi penalitetin për moszbatim të afatit të dorëzimit të projektit të zbatimit. Për sa sipër, referuar dhe kontratave të koncensionit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kërkon shlyerjen e detyrimeve brenda 30 ditësh dhe në rast të mosshlyerjes në kohë të këtij penaliteti, do të kërkojë pagesën e kamatave ligjore dhe zgjidhjen e kontratave. “Mosplotësimi i kësaj kërkese përbën shkelje të detyrimit kontraktual, ndaj të cilit Autoriteti Kontraktues do të mbajë qëndrimin e duhur ligjor, bazuar në Ligjin Nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet” i ndryshuar, dhe VKM Nr. 27, dt. 19.01.2007 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”, i ndryshuar”, thuhet në vendimin e marrë sot nga METE. Vetëm pak ditë më parë, në një seminar të mbajtur për Hidrocentralet në Shqipëri, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço shprehu vendosmërinë në zbatimin me rigorozitet të kontratave konçensionare për ndërtimin e HEC-eve. Naço theksoi se, METE nuk mund të tolerojë që investimet dhe projektet me rëndësi kombëtare të mbeten peng i disa kompanive fantazëm, të cilët janë kthyer në sekser në dyert e kësaj ministrie. “Do të ishte e patolerueshme për ekonominë shqiptare, që nga rreth 98 koncesione të marra vitet e fundit, disa prej tyre të mbeten vetëm në letër, në një kohë kur janë me dhjetëra kompani serioze, vendase dhe të huaja, të cilat janë gati të investojnë kapitalin e tyre për të përfunduar këto projekte dhe shtuar kapacitetet gjeneruese energjetike në vend”, u shpreh ministri, ndërsa garantoi për mbështetjen e METE për ata investitorë seriozë që kanë lidhur kontrata koncensionare për ndërtimin e hidrocentraleve.
Subjektet që janë penalizuar janë:
Tulla T shpk
Belesove shpk
By Best Duty Free & Vortex
Çaushi K; Komp Energi shpk
Stgc Corp inc
Merga & Shansi
Invest & Lala shpk
Qeramika e Jugut shpk.