Eurozona mes problemeve dhe optimizmit
Bashkimi monetar ka qenë në buzë të humnerës dhe këtë herë fatet e tij kanë qenë të lidhura ngushtë me fatin e vendit fqinj të Greqisë. Sidoqoftë nga Eurozona kanë ardhur komunikata dhe deklarata të shumta optimiste për Greqinë: “Athina duhet të qëndrojë në Eurozonë - ka thënë presidenti Jean-Klaude Juncker, dhe ne do të bëjmë gjithçka për të arritur këtë rezultat”. Nga ana tjetër në Greqi po diskutohet tashmë për një qeveri teknike meqënëse asnjë prej partive nuk ka arritur që të formojë një të tillë. Ndërkaq në Parlamentin europian është folur sërish për krizën madje është aprovuar edhe krijimi i eurobondit nëpërmjet një fondi të rimbursimit të debisë. Ka patur shumë lëvizje dje në Europë, mes takimeve dhe mbledhjeve të ndryshme në të cilat kanë marrë pjesë presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy, ai i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi, presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso dhe presidenti i Eurogrupit Jean –Klaude Juncker. Natyrisht në këto mbledhje është folur për çështjen e Greqisë pa harruar edhe vështirësitë bankare që po has një vend si Spanja. Në mbledhjen e Eurogrupit, ministri i Financave të Gjermanisë, Wolfgang Shauble ka nënvizuar se: “nuk ka ndryshuar asgjë përkundrejt nevojshmërisë” të Greqisë për të adoptuar reformat e saj ekonomike. Por ministri i Finacave të Austrisë, Maria Fekter, ka shtuar se: “Greqia nuk mund të dalë nga Eurozona por mund të braktisë Bashkimin Europian dhe monedhën e përbashkët, traktaktet e parashikojnë këtë”. Sidoqoftë kancelarja gjermane Angela Merkel e shqetësuar për situatën ka nënvizuar se: “Besoj se për Greqinë do të ishte më mirë të qëndronte në Eurozonë”. Zëra të tjerë ndërkaq, ndër ta spikat Juncker, kanë kërkuar t’i japin pak më shumë kohë Greqisë për të parë borxhin dhe për të reformuar ekonominë e saj. Situata nuk është nga më të mirat. Disa personalitete të larta europiane kërkojnë që t’u bëhet presion partive greke që të evitojnë daljen e Greqisë nga Bashkimi monetar edhe pse kjo duket se është pothuajse e pamundur sepse dihet tashmë reaksioni i popullit grek. Ndërkaq lajmet nga Greqia japin ende një panoramë të paqartë. Flitet për një qeveri teknike dhe presidenti i Greqisë, Papulias do të thërrasë të gjitha partitë ndoshta duke përjashtuar vetëm neonazistët. Pritet që të krijohet një qeveri me votat e Demokracisë së Re, Pasok-ut dhe të Majtës Demokartike meqënëse koalicioni i tjetër i të majtës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë. Por ndërkaq edhe Komisioni i Çështjeve ekonomike të Parlamentit europian ka aprovuar një fond i cili ka si qëllim të mbledhë borxhin e atyre vendeve që arrin në 60% të Gdp. Ka qenë një votim që ka arritur këto rezultate me 27 vota pro, 14 vota kundër dhe dy abstenime. Natyrisht që kjo nuk mund të quhet e përfunduar pa u negociuar ende me Këshillin dhe Komisionin por që gjithsesi dëshmon dëshirën e një pjese të rëndësishme të Parlamenetit për punuar për borxhin. Socialdemokratët dhe Liberalët gjermanë kanë votuar në favor të kësaj çështje ndërsa disa të tjerë kanë votuar kundër. Deputetët ndërkaq nuk kanë qenë dakord me propozimin e Roberto Gualtierit për rregullin e artë, që ka të bëjë me një mënyrë llogaritje të deficitit që përjashton shpenzimet për investimet një ide kjo e propozuar nga presidenti i Këshillit të Ministrave Mario Monti por që nuk ka qenë e mbështetur nga shumica e parlamentarëve. Sipas gjermanëve kjo nuk do të ishtëe shumë e pëlqyeshme sepse ekziston frika në manipulimin e llogarive nga qeveri të veçanta. Sidoqoftë tregjet europiane, humbja e kancelares gjermane Merkel në zgjedhje në një zonë që jep 1/5 të Gdp të Gjermanisë dhe situata e Greqisë japin në dukje një panorama ndyshimesh. Ndoshta kjo do të duket edhe në Këshillin europian që do të mbahet më 23 maj, dhe ku do të flitet për politikat e nevojshme për t’i dhënë në të njëjtën kohë një impuls ekonomisë së Europës. Kjo mbledhje në vetvete do të hapë rrugën për një takim që do të zhvillohet në fund të qershorit. Ndërkaq pas “humbjes të hidhur, dhe të dhimbshme” por që sidoqoftë nuk do të luhasë aspak orientimin e Gjermanisë në Europë, sot do të mbahet edhe takimi parë franko – gjerman me presidentin e sapozgjedhur francez Hollande. Një takim për t’u njohur mes palëve por edhe për të folur mbi tema të rëndësishme si kursimet rritja ekonomike. Sidoqoftë nuk ka shumë kontraste mes dy vendeve të cilat duket se janë dakord për shumë gjëra që kanë të bëjnë me ata vetë dhe fatet e Bashkimit monetar dhe të Bashkimit Europian.
...