E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mbështetja dhe ndihma e Turqisë themelore në ndryshimet dhe zhvillimin e Shqipërisë”

16-05-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha takon Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek

"Mbështetja dhe ndihma e Turqisë ka qenë e një rëndësie themelore në ndryshimet dhe zhvillimin e Shqipërisë", tha dje Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek dhe delegacionin e parlamentarëve turq që e shoqëronte. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Berisha theksoi se kjo vizitë është një kontribut i mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore e vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve e kombeve.     
Kryeministri Berisha theksoi vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare për ti thelluar dhe konsoliduar gjithnjë e më shumë këto marrëdhënie. Nga ana e tij, Çiçek pohoi marrëdhëniet e ngushta tradicionale të miqësisë mes Shqipërisë dhe Turqisë, me rrënjë të thella në histori, si dhe shprehu vullnetin dhe angazhimin për ti forcuar e zgjeruar ato në të ardhmen. Ai u shpreh se, Shqipëria ka bërë ndryshime rrënjësore, që nga vizita  e tij e parë në vendin tonë, duke vlerësuar rolin e kryeministrit Berisha në zhvillimin e vendit. Kryeministri Berisha falënderoi Çiçek për ndihmën dhe mbështetjen e Turqisë në fusha të tilla si arsim, shëndetësi, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Më tej, në takim u diskutua lidhur me mundësitë e reja për bashkëpunim në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të dy vendeve. Nga ana e tij, Çiçek u shpreh se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në reformimin e institucioneve të saj, zhvillimin e reformave dhe atë ekonomik.
Topalli: “Turqia, partnere strategjike e Shqipërisë”/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shprehu mirënjohje për mbështetjen e fuqishme që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë një takimi, sot me Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, Çemil Çiçek dhe delegacionin që e shoqëron. Topalli e cilësoi vizitën si dëshmi të marrëdhënieve të forta miqësore që vendet kanë, ndërsa vlerësoi se Turqia është një nga partnerët strategjik të Shqipërisë. Çiçek shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë, që përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë, ku ndihet i rrethuar mes miqsh. Bashkëbiseduesit vlerësuan aspiratën e dy vendeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, si një proces i rëndësishëm, ku vendet janë të angazhuara për të arritur standardet dhe filozofinë e vlerave europiane. Dy homologët shprehën angazhimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin në nivel parlamentar duke nxitur rritjen e shkëmbimeve të vizitave përmes delegacioneve të komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë etj. Ata vlerësuan se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve në nivelin politik janë shtrirë me sukses në gjitha fushat, veçanërisht ato ekonomike, infrastrukturë, energjetikë, sektorin bankar, arsim, gaz, naftë, turizëm etj. Temë e rëndësishme në takim ishte edhe projekti i gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline. Kryetarja Topalli kërkoi mbështetjen e Turqisë për realizimin e kalimit të gazsjellësit përmes Shqipërisë, çka do të sillte impakt të jashtëzakonshëm ekonomik jo vetëm për vendin tonë, për rajonin e më gjerë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›