Eurozonë, rriten çmimet në prodhim
Të dhënat zyrtare të eurozonës konfirmojnë për rritje të presionit inflacionist në eurozonë, motiv shtesë për bordin e politikës monetare të Bankës Qendrore Europiane, për të shtrënguar politikën monetare. Të dhënat e zyrës europiane të statistikës Eurostat, treguan se çmimet e prodhuesve u rritën në muajin mars, në një hap më të madh nga pritshmëria, të ndikuara kryesisht nga rritja e kostos së energjisë. Sipas të dhënave të Eurostat, çmimet e produktit përfundimtar në fabrikat e eurozonës u rritën në mars me 0.7% në normë mujore dhe me 6.7% në normë vjetore. Sondazhet e kryera me analistët e tregut paralajmëruan për rritje jo më shumë se 0.6% në normë mujore dhe me 6.6% në normë vjetore. Në parim, rritja e çmimeve nga prodhuesit në rast se nuk absorbohet nga ndërmjetësit, apo nga shitësit e pakicës, ajo transmetohet te çmimet e konsumatorëve dhe për pasojë është një sinjal i fortë për rritej të presionit inflacionist. Banka Qendrore Europiane synon të ruajë një normë inflacioni pranë dhe jo më shumë se 2% në termat afatmesëm.