E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhamia e Re, myslimanët të pasigurt për truallin

SHKRUAN: Jonida Tashi 04-05-2011 11:51

Myslimanët vazhdojnë të ndihen të pasigurt për truallin që është përcaktuar nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e Xhamisë së Re. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë deklaron se shpallja e fituesit është e parakohshme, për aq kohë sa besimtarët myslimanë janë të paqartë lidhur me vendin ku do të ndërtohet xhamia e re, vend i cili është ende nën pronësinë e pronarëve të truallit, dhe nuk është pronë e KMSH-së. Një ditë pasi Bashkia e Tiranës shpalli fitues projektin e studios daneze “BIG” për të ndërtuar Xhaminë e re në Tiranë ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH). Ditën e djeshme, nëpërmjet një deklarate për shtyp, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke marrë shkas nga paqartësitë e besimtarëve myslimanë dhe mbarë opinionit publik lidhur me projektin e xhamisë së re në Tiranë, shprehet se e ndien të nevojshme të sqarojë se “procesi i projektimit të Xhamisë, megjithëse duhet të fillonte pas zgjidhjes së pronësisë së tokës, në çdo hap është mbështetur dhe përkrahur nga KMSH. Që në fillimin e tij, në takimet e bëra me Bashkinë e Tiranës, KMSH ka shprehur haptazi paqartësitë në lidhje me shpronësimin e truallit dhe lejen e sheshit të ndërtimit, shqetësim ky i cili nuk ka qenë vetëm i institucionit, por edhe i të gjithë besimtarëve myslimanë, të cilët janë treguar shumë të ndjeshëm në këtë çështje”. Në deklaratë thuhet se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni përfaqësues i të gjithë besimtarëve myslimanë në Shqipëri dhe ka si organ më të lartë vendimmarrës Këshillin e Përgjithshëm, të përbërë nga 92 anëtarë nga mbarë vendi. Në mbledhjen e tij të fundit të mbajtur më 20 mars 2011, Këshilli i Përgjithshëm, pasi diskutoi çështjen e ndërtimit të Xhamisë së Re në Tiranë, doli me konkluzionin se “Këshilli i Përgjithshëm konstaton mjaft pasiguri, derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit, që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe paqartësi të tjera”. Më tej, në deklaratën e djeshme thuhet se “që nga deklarata e Këshillit të Përgjithshëm, KMSH ka qenë në pritje të një përgjigjeje nga ana e Bashkisë për të sqaruar pasiguritë në funksion të realizimit të plotë të kësaj nisme. Duke qenë se paqartësitë e Këshillit të Përgjithshëm të KMSH kanë mbetur akoma pa përgjigje, shpalljen e projektit fitues e vlerësojmë si të parakohshme”. Ndërkaq, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thekson se në përzgjedhjen e projekteve të objekteve të kultit, komunitetet fetare përkatëse duhet të kenë rolin kryesor dhe vendimtar. Së fundi, në deklaratë thuhet se Xhamia e Re në Tiranë mbetet një nevojë e domosdoshme dhe emergjente për besimtarët myslimanë dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreson në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional për realizimin e këtij objektivi. Ditën e hënë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë shpalljes së projektit fitues për ndërtimin e Xhamisë së Re dhe Muzeut të Bashkëjetesës Fetare, garantoi se asnjë pronar apo pronë nuk do të dëmtohet nga ky projekt. Vendi ku është deklaruar se do të ndërtohet Xhamia e Re në Tiranë, që është lulishtja në krah të Bibliotekës Kombëtare, apo siç quhet ndryshe “gropa e Hajdin Sejdisë”, është pronë e disa dhjetëra pronarëve, trashëgimtarë të truallit. Për këtë shkak, çështja e ndërtimit të Xhamisë në këtë truall është kthyer në një debat kundërshtish, që gjithsesi do të mund të dalin në dritë pas fushatës elektorale të zgjedhjeve të 8 Majit, ku në Tiranë garon për të katërtin mandat Edi Rama, përballë kandidatit demokrat Lulzim Basha. Ndërkohë qeveria i ka dhënë një tjetër truall për kompensim KMSH-së, atë të zonës së Namasgjasë, pranë lulishtes së Parlamentit të Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›