Importi, ja 20 mallrat që mbushin arkën e doganave
Konsumatorët e kanë të qartë se, pjesa dërrmuese e mallrave që konsumojmë, vijnë nga importi. Mirëpo pak kush e di se, cilat janë mallrat qe më taksat që paguajnë në doganë mbajnë në këmbë arkën e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare, nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, janë mbi 20 artikuj dhe grupe artikujsh, të cilat zënë peshën më të madhe në importe dhe sigurisht edhe në të ardhurat doganore. Të parat janë karburantet, të cilët bëjnë diferencën me artikujt e tjerë, për peshën që kanë në të ardhurat buxhetore. Vetëm për dy muajt e parë të këtij viti, nga importi karburanteve është shënuar një vlerë prej 3,8 miliardë lekësh të reja, me një diferencë gati më shumë se 6 herë nga produkti tjetër, vajra nafte dhe cigaret.
Hidrokarburet dhe energjia
Duke qenë se nafta, benzina dhe produkte të tjera që kanë të bëjnë me transportin gjejnë një konsum të gjerë edhe në ekonominë shqiptare, përveç kostos që kanë, nëpërmjet çmimeve të tyre te konsumatorët, ato luanë një rol të rëndësishëm në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Për shkak se, importi i hidrokarbureve sjell gjashtëfishin e të ardhurave në buxhet, në krahasim me një produkt tjetër, që konsumohet po kaq shumë. Në statistikat e doganave, fill pas naftës, për nga rëndësia e të ardhurave vijnë vajrat e naftës dhe nafta bruto. Nga ky artikull, doganat arkëtuan për dy muaj 616 milionë lekë. Nga këto të dhëna duket se, hidrokarburet janë jetike për buxhetin e shtetit. Kështu sa më i lartë të jetë çmimi naftës në tregun ndërkombëtar, aq më shumë të ardhura merr arka e doganave për shkak se, tarifa doganore paguhet në bazë të çmimit në bursë. Gjithashtu, në 20 mallrat me rëndësi strategjike për arkën e doganave, janë edhe gazrat e naftës, energjia elektrike, importësi i të cilave sjell në buxhet milionë euro taksa.
Ushqimet dhe cigaret
Pas hidrokarbureve, për nga rëndësia që kanë të ardhurat e buxhetit, janë cigaret dhe disa produkte të tjera ushqimore si, kafeja, gruri, sheqeri, vaji, mishi, birra dhe agrumet. Në krye të listës janë cigaret dhe gruri, importi i të cilave i kalon vlerat e 250 milionë lekëve në muaj për secilin artikull. Më pas vijnë vaji, kafeja dhe sheqeri, të cilat përveç volumeve në importe, sjellin edhe një sasi të konsiderueshme vlerash monetare. Sidomos tani, që çmimi i tyre në tregun ndërkombëtar është rritur ndjeshëm edhe tarifa doganore që ato paguajnë rezulton në një vlerë më të lartë për doganat. Rezultati i këtij zinxhiri ka çuar në çmime mjaft të larta për konsumatorët fundorë në tregun e brendshëm.
Materialet e ndërtimit dhe makineritë
Në dy dekadat e fundit, vendi është shndërruar në një kantier të vërtetë ndërtimi, importi i materialeve që kanë të bëjnë me këtë sektor vazhdon të jetë shumë i lartë. Për rrjedhojë, materialet që kanë të bëjnë me këtë sektor janë jetike dhe kanë një rol strategjik në buxhetin e doganave, megjithëse në rënie këto tre vitet e fundit. Më së shumti, volumin më të madh e zënë pllakat dhe çimentoja, dhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me procesin e ndërtimit. Makinat janë një tjetër artikull i rëndësishëm për doganat. Tarifat e importit të tyre sjellin më shumë se, 190 milionë lekë në një muaj, ndërkohë që për nga rëndësia në të ardhurat e doganave makinat janë të pestat në radhë.