"Orfeo dhe Euridice", studentët në skenë
Opera "Orfeo dhe Euridice" e autorit Christoph Willibald Gluck do të ngjitet në skenën e Akademisë së Arteve në datat 1 dhe 2 shkurt, duke i dhënë fund edhe Stinës Koncertore të Dimrit. Opera do të realizohet prej studentëve të vitit III dhe IV, duke qenë se edhe qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë pikërisht nxjerrja në skenë e studentëve, në mënyrë që ata të mësohen me skenën. Sipas drejtorit artistik të Stinës Koncertore të Dimrit, Sokol Shupo, performanca e pjesëmarrësve këtë vit ka qenë për të vlerësuar të teta shfaqjet e organizuara gjatë kësaj stine. Opera "Orfeo dhe Euridice" është cilësuar e vështirë, por pavarësisht kësaj, organizatorët kanë menduar ta bëjnë pjesë jo vetëm të Stinës Koncertore të Dimrit, ndërsa është menduar që edhe për Stinën Koncertore të Pranverës të shfaqet një opera e Puçinit. "Gjatë stinës koncertore ne arritëm të nxirrnim në skenë studentë të përgatitur, por dhe emra të mirënjohur të skenës, të cilët janë njëkohësisht dhe pedagogë të kësaj akademie, si Nora Çashku, Merita Rexha Tërshana etj.", u shpreh Shupo. Sipas tij, të tilla koncerte nuk duhen organizuar vetëm në Tiranë, ato duhet të shfaqen edhe në qytete të ndryshme të vendit. Stina Koncertore e Dimrit është një aktivitet i Akademisë së Arteve dhe drejtohet nga prof.as. Alqi Lepuri dhe prof.dr. Sokol Shupo, drejtor artistik. Aktiviteti, i cili mbyllet në datat 1-2 shkurt, ka nisur që në 20 dhjetor.