Filip Çakuli, "Qytetar Nderi"
Këshilli Bashkiak i Lushnjës ka shpallur qytetar nderi drejtorin e emisionit investigativ, "Fiks Fare", Filip Çakuli. Me propozim të vetë këshilltarëve, Këshilli Bashkiak i Lushnjës ka votuar "pro" atribuimit të këtij çmimi për kontributin e dhënë nga zoti Çakuli. Gazetari i njohur, Filip Çakuli, do të nderohet me titullin "Qytetar Nderi" i Lushnjës. Për të gjithë veprimtarinë e tij artistike, nga Bashkia e qytetit të Lushnjës, Çakulit do t‘i akordohet titulli i nderit. "Filip Çakuli ka një aktivitet shumë të zgjeruar në Lushnjë. Duke nisur me gazetën ‘Hosteni‘ e deri me drejtimin e emisionit ‘Fiks Fare‘", ka thënë gjatë mbledhjes së djeshme Leonard Gogu, këshilltar i Këshillit Bashkiak të Lushnjës. Të gjithë kanë qenë dakord me propozimin e bërë. Çakuli meriton të nderohet me titullin e lartë nga Bashkia e Lushnjës. Gazetari i njohur, Filip Çakuli, është drejtues i një prej programeve më të ndjekur në televizionin "Top Channel", "Fiks Fare", që drejtohet prej vitesh nga ai. Që në fillesat e këtij emisioni, gazetari Filip Çakuli, me bashkëpunëtorët e tij, për herë të parë krijuan një program televiziv ku gazetaria investigative është në thelb të gjithçkaje. Gërshetuar me humorin, "Fiks Fare", drejtor i të cilit është Filip Çakuli, është njëkohësisht edhe argëtues, frymë të cilën e nxit pashmangshmërisht edhe Çakuli, që është i njohur për batutat e tij të humorit. Në sajë të formatit që ka, të valleve dhe muzikës që e shoqërojnë nga fillimi deri në fund, me stafin e bashkëpunëtorët e tij, Çakuli ka ngritur një prej emisioneve me shikueshmërinë më të lartë. Përballja me zyrtarët e korruptuar, me premtime qeveritare të parealizuara, me korrupsionin në të gjitha nivelet e administratës shtetërore, ka qenë pjesë e këtij emisioni. Denoncimet dhe faktet e publikuara në "Fiks Fare" shpesh kanë shërbyer si shtysë për marrjen e masave administrative nga institucionet shtetërore. Filip Çakulit do t‘i jepet çmimi "Qytetar Nderi" i Lushnjës. Nën praninë e të ftuarve e miqve, drejtori i "Fiks Fare" do të nderohet me një titull njësoj si vetëm pak kohë më parë edhe miku i tij, aktori i humorit, moderatori dhe drejtori artistik i spektaklit "Portokalli", Agron Llakaj, i cili u nderua me çmimin "Qytetar Nderi" i Memaliajt.