E Diel, 1 Nëntor 2026

Evertoni kërkon sërish Lorik Canën

Evertoni nuk i ndahet Lorik Canës, është ky lajmi më i fundit që ka mbërritur nga Anglia, ku sirenat kanë filluar të bien për kapitenin shqiptar të Olimpikut të Marsejës. Sikurse është bërë e njohur nga mediat britanike "online", skuadra e qytetit të Liverpulit e ka futur përsëri në listën e objektivave të tij emrin e Canës. Mesfushori i kombëtares kuqezi, i cili luan në kampionatin francez, është i pëlqyeri i trajnerit të Evertonit, Dejvid Mojes, i cili sapo ka zgjatur kontratën me këtë klub. Klubi anglez e ka kërkuar Canën edhe në merkaton e verës së fundit, por tentativa e atëhershme dështoi, pasi Marseja kërkoi rreth 20 milionë euro për ta lënë të lirë kapitenin e saj. Gazeta e njohur "The Sun" shkruante sërish dje për interesimin e Evertonit kundrejt Canës. Nëse në muajt korrik-gusht ata ofronin vetëm 8 milionë euro, tashmë oferta është ngritur në shifrën e 9 milionë sterlinave (afërsisht 12 milionë euro). Megjithatë, kjo nuk pritet të bindë drejtuesit francezë. Në merkaton e janarit do të jetë e vështirë që Cana të largohet, ndërsa merkatoja e verës mund të afrojë më shumë mundësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›