E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja i mohon azilin politik birit të Bin Ladenit

Një burim brenda familjes së terroristit më të kërkuar në rruzull tha për CNN se Spanja i ka mohuar për të dytën herë kësaj jave azilin politik një prej bijve të Bin Ladenit. Burimi bëri me dije se Omar Bin Laden është i detyruar të largohet nga ky vend para përfundimit të javës dhe se nuk dihet arsyeja për të cilën Spanja e ka refuzuar kërkesën për strehim politik.

Refuzimi erdhi pas apelimit të një vendimi të mëparshëm, të marrë të mërkurën, i cili gjithashtu i mohonte birit të Bin Ladenit të drejtën e qëndrimit në Spanjë. I riu, i cili është i martuar me një qytetare britanike dhe vetë mban pasaportë saudite, është përballur edhe më parë me një problem të tillë, duke qenë se edhe Anglia nuk ka pranuar t‘i njohë kërkesën për statusin e azilantit politik.

Sipas një zëdhënëseje të Ministrisë së Brendshme të Spanjës, Omar Bin Laden, pranë të tridhjetave, e paraqiti kërkesën për azil politik me të zbritur në aeroportin Barahas të Madridit. Që nga ai çast, është mbajtur në një prej zonave të sigurisë brenda aeroportit gjatë gjithë procesit të shqyrtimit të kërkesës.

Nuk dihet se në ç‘baza e ka mbështetur biri i Bin Ladenit kërkesën për azil, ndërkohë që në disa raste i ka kërkuar publikisht të atit të braktisë aktivitetin terrorist. 27-vjeçari, tregtar metalesh, banon në Kajro bashkë me të shoqen angleze. Ai nuk e ka hedhur kurrë poshtë të atin, por është shprehur se dëshiron të jetë "ambasador i paqes" mes botës myslimane dhe Perëndimit.

Zëdhënësja bëri gjithashtu me dije se kërkesa i kishte zënë të papërgatitura autoritetet spanjolle. Sipas saj, vitin që shkoi, Spanjës iu paraqitën 7664 kërkesa për azil politik, ndërkohë që shteti ia njohu këtë status vetëm 570 syresh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›