E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamasi, i gatshëm të negociojë me Obamën

Hamasi është i gatshëm të pranojë të nisë bisedimet me Presidentin e sapozgjedhur amerikan, por duke vërejtur se Barak Obama duhet të respektojë "të drejtat dhe kërkesat" e grupit islamik palestinez, tha të premten Khaled Meshal, lideri i kësaj organizate. Gjatë një vizite në Izrael, në korrikun e këtij viti, Obama foli për mundësinë e nisjes së negociatave me Hamasin, me kusht që organizata të hiqte dorë nga aktet e dhunshme dhe t‘i njihte Izraelit të drejtën për të ekzistuar si shtet. Duhet kujtuar se Presidenti Xhorxh Bush, në këtë post, deri 20 janarin e ardhshëm, refuzoi çdo lloj negocimi me Hamasin.

"Është një shans i madh e për t‘u shënuar - politik dhe psikologjik - dhe gjej me vend të përgëzoj Presidentin Obama", tha Meshal nga Damasku, kryeqyteti i Sirisë, në një intervistë të dhënë për rrjetin "Sky News". "Por si rezultat i zgjedhjeve dhe ndryshimeve, duhet të dijë se ka detyrime para Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu si para gjithë botës, sidomos kur vjen fjala te rajonet e nxehta, veçanërisht në Lindjen e Mesme", tha lideri i Hamasit gjatë intervistë. Ai shtoi se "jemi të gatshëm për dialog me Presidentin Obama dhe me administratën e re amerikane, në rast se një gjë e tillë zhvillohet me mendje të hapur dhe në rast se administrata amerikane respekton të drejtat dhe opsionet që parashtrojmë ne".

Meshal nënvizoi se administrata amerikane nuk ka zgjidhje tjetër veç të negociojë me Hamasin, në rast se do të ndihmojë për zgjidhjen e problemeve të rajonit: "Administrata amerikane, në rast se do të marrë përsipër zgjidhjen e problemeve të rajonit, konfliktin palestinez dhe arabo-izraelit, nuk ka rrugë tjetër veç asaj të negociatave me Hamasin, duke qenë se ne përbëjmë një forcë të vërtetë në terren". Më pas, vërejti se organizata e përfaqësuar nga ai fitoi një numër të madh votash gjatë zgjedhjeve dhe së dyti se është gabim që konsiderohet si rrezik për sigurinë.

Palestinezët gjenden të ndarë mes Presidentit Mahmud Abaz të Fatahut dhe Hamasit, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2006. Gjatë vizitës në Izrael në korrik, Obama nxiti mbështetjen e Presidentit Abaz dhe të Kryeministrit Salam Fajad, të cilët janë për zgjidhjen e ndarjes në dy shtete. Por i tmerroi përmes një deklarate të lëshuar një muaj më parë, ku tha se Jerusalemi duhet të mbetej "i pandarë" dhe t‘i përkiste tërësisht Izraelit. Palestinezët duan pjesën lindore të Jerusalemit, i shtënë në dorë nga Izraeli në vitin 1967 dhe i projektuar si kryeqyteti i ardhshëm i këtij shteti. Pak ditë pas deklaratës, Obama sqaroi se ishte shprehur gabim dhe se kishte përdorur një "frazë të varfër" për të përshkruar qëndrimin e vet.

Liderët e Hamasit kanë ofruar një marrëveshje afatgjatë paqeje me Izraelin në këmbim të premtimit për krijimin e një shteti palestinez në rajonet e pushtuara të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës. Grupi islamik vazhdon të deklarojë se nuk e njeh zyrtarisht shtetin e Izraelit dhe në kartën themeltare të tij, të vitit 1988, bën thirrje për shkatërrimin e shtetit hebre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›