E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja rrezikon pjesëmarrjen në Olimpiadën Botërore të Shahut

Kombëtarja shqiptare e shahut rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në olimpiadën botërore që do të zhvillohet në Drezden të Gjermanisë, nga 12 deri më 25 nëntor. Shkak është bërë refuzimi i vizës për mjeshtrin ndërkombëtar të skuadrës kuqezi, Dritan Mehmeti, nga ambasada gjermane e akredituar në Tiranë. Ky është aktiviteti më i rëndësishëm ndërkombëtar në sportin e shahut, që organizohet një herë në çdo dy vjet dhe vendi ynë do të konkurrojë përkrah me 151 shtete të tjera. Kombëtarja përbëhet nga pesë shahistë meshkuj dhe pesë femra, ndërkohë që do të shoqërohet edhe nga dy trajnerë. Megjithatë, Mehmeti ishte i vetmi të cilit iu refuzua viza. Madje, ambasada nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë vendim, edhe pse ai është një prej sportistëve kyç të përfaqësueses, pjesë e së cilës është prej nëntë vjetësh. "E gjithë kjo situatë është absurde", deklaroi shahisti, i cili është shpallur dy herë kampion kombëtar në konkurrimet individuale, pesë herë kampion ekipor me Butrintin dhe një herë fitues i kampionatit të shahistëve më të fortë (turne i zhvilluar gjatë vitit të kaluar). "Vetëm dy javë më parë u ktheva nga Greqia, ku u aktivizova në Kampionatin Evropian ekipor, të zhvilluar në Kalithea të Selanikut. Kam qenë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet madhore ndërkombëtare, evropian, botëror dhe olimpiada". Kombëtarja shqiptare e shahut do të udhëtojë drejt Gjermanisë të martën dhe koha e pakët në dispozicion është shqetësimi më i madh i Mehmetit. Ai saktëson: "Është hera e parë që një ambasadë u refuzon vizat shahistëve dhe më e keqja është se kjo ndodh pa asnjë arsye. Personalisht kam udhëtuar në të gjitha vendet Shengen (ashtu si është edhe Gjermania), madje edhe në Angli dhe askush nuk më ka krijuar probleme. E ngre këtë shqetësim, jo për të krijuar polemika, por sepse duhet gjetur një zgjidhje e shpejtë. Skuadra niset të martën dhe kam fare pak kohë". Përgatitjet e mjeshtrit ndërkombëtar për olimpiadën botërore kanë filluar prej afro një viti, ndërkohë që për zgjidhjen e këtij problemi janë angazhuar edhe Ministria e Jashtme dhe ajo e Sporteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›