E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evidentohen disa parregullsi gjatë fushatës

“Demokracia në Veprim” shpalosi sot disa parregullsi të evidentuara gjatë fushatës katërditore për raundin e tretë të zgjedhjeve në komunën e Prizrenit dhe Lipjanit.

Udhëheqësi i Demokracisë në Veprim, Ismet Kryeziu, ndër shkeljet më të mëdha përmendi nënshkrimin e një koalicioni partiak në ambientet e Kuvendit Komunal në Prizren, si dhe përdorimit të uniformës së Policisë së Kosovës nga ana e kandidatit të LDK-së në Lipjan.

“Kemi pasur rastin ku në Kuvendin Komunal të Prizrenit është nënshkruar kontrata e koalicionit, në mes të z. Gjergj Dedaj dhe kandidatit për Kuvendin Komunal nga PDK, Ramadan Muja. Në Lipjan, kandidati i LDK-së, Imri Ahmeti, ka përdorur uniformat e policisë në spotin e tij publik, për të cilin ka reaguar edhe Policia e Kosovës”, tha ai.

Kryeziu kritikoi partitë për shpenzime të tepruara, të cilat sipas tij, janë në disproporcion me zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe me nevojat e subjekteve politike.

Në fund, Demokracia në Veprim i bëri thirrje KQZ-së që të zbatojë rekomandimet e KZAP-i, siç është siguria dhe elemente të tjera që do ta përcjellin ditën e zgjedhjeve për të pasur një proces më të favorshëm dhe një proces më të drejtë dhe të rregullt.

Kurse qytetarëve të Prizrenit dhe Lipjanit, ky koalicion OJQ-ësh u bëri thirrje që të jenë pjesë e procesit zgjedhor të dielën. Demokracia në Veprim do të ketë 300 vëzhgues, të cilët do të përcjellin të gjitha pikat e votimit në këto dy komuna.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›