Për zgjedhje, 800 policë të angazhuar
Policia e Kosovës, në bashkëpunimin me Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), kanë hartuar një plan operativ të sigurisë, për të garantuar që zgjedhjet e 31 janarit, në Prizren dhe Lipjan, të kalojnë në frymë të qetë.
Drejtori për planifikim dhe zhvillim në Policinë e Kosovës, Granit Fetahu, tha se për mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor do të angazhohen 800 zyrtarë policorë.
Në një konferencë me gazetarë, ai njoftoi se gjatë ditëve të fushatës nuk ka pasur asnjë incident, kurse fletëvotimet kanë arritur në Kosovë dhe janë duke u ruajtur nga policia e Kosovës.
“Materiali sensitiv i fletëvotimit për rivotimin në raundin e tretë për komunën e Lipjanit dhe të Prizrenit ka arritur në territorin e Kosovës. Ato që nga momenti që kanë hyrë në territorin e Republikës do të sigurohen me sigurim strikt nga policia”, tha Fetahu, transmeton KosovaPress.
Kurse, Xhemail Peqani, kryetar ekzekutiv i KQZ-së, saktësoi se fletëvotimet që do të përdoren për votime të dielën janë shtypur në Slloveni, ndërsa tani gjenden në depon e KQZ-së, ku janë duke u ruajtur nga Policia e Kosovës.
Peqani tregoi se materiali sensitiv që nga mëngjesi i nesërm do të shpërndahet në depot e komisioneve komunale, ndërsa shpërndarja e tyre në qendrat e votimit do të fillojë në ora 5 në ditën e votimit.