E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fisher: Marrëdhëniet PD-PS, më të vështira se kurrë më parë

Shqipëria ndodhet në një moment kritik për të ardhmen e saj dhe partitë kryesore politike duhet të kapërcejnë problemet mes tyre, pasi përndryshe rruga drejt Bashkimit Evropian do të ndërlikohej. Kështu është shprehur profesori Bernd Fisher i Universitetit të Indianës në Fort Uejn dhe njëkohësisht edhe një studiues i njohur i historisë shqiptare në një intervistë për Zërin e Amerikës për situatën aktuale në Shqipëri.
"Mendoj se marrëdhëniet aktuale mes dy partive kryesore janë më të vështira se asnjëherë më parë. Jam veçanërisht i shqetësuar për të atë që nuk mund të cilësohet ndryshme përveçse gjuhë urrejtjeje nga të dyja partitë kryesore, sidomos kur bëhet fjalë për udhëheqjen e tyre. Që demokracia të funksionojë duhet të kesh një opozitë, përndryshe do të ishte vetëm një parti që krijon rregulla nga të cilat do të përfitonte ai institucion. Një nga elementët që po shohim aktualisht me legjislacionin e kohëve të fundit, është prirja për të forcuar pozitën e kryeministrit në krahasim me parlamentin" theksoi Fisher.
Më tej ai shtoi se për planet plane afatgjata, kjo nuk është pozitive, pasi ndërhyn me ndarjen tradicionale të pushtetit dhe sipas tij ky është një nga aspektet më negative të gjendjes së krijuar, të bojkotit.
"Ka edhe shumë pasoja të tjera, përfshirë faktin që qeevria e ka të pamundur të miratojë ligje të rëndësishme që kanë nevojë për më shumë se 50 për qind të votave për të kaluar në parlament, veçanërisht reformat e rëndësishme që Bashkimi Evropian i ka kërkuar Shqipërisë të miratojë për ta përmirësuar pozitën e Shqipërisë në përpjekjet e saj për të hyrë në Bashkimin Evropian. Ka shumë probleme të krijuara nga marrëdhëniet mes dy partive, përfshirë krizën aktuale politike" shtoi Fisher.
Ndërkohë profesori Bernd Fisher i Universitetit të Indianës në Fort Uejn, vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por tha se vendet që e mbështetën këtë anëtarësim duket se kanë pësuar një farë zhgënjimi pas zhvillimeve politike të kohëve të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›