E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e dëshmitarëve, shtyhet gjyqi i mjeshtrit të arratisjeve

02/09/2009  Policët që arrestuan Ilir Pajën nuk u paraqiten në gjyq për të dhënë dëshmitë e tyre

I akuzuari është arratisur dy herë nga burgjet greke, në Tiranë kërkohej për vrasje

TIRANË- Ka filluar me shtyrje dita e parë e punës për Gjykatën e Krimeve të Rënda. Vetëm dy procese gjyqësore të planifikuara për dje dhe asnjë e zhvilluar plotësisht. Gjyqi i Ilir Pajës, personazhit të shumëpërfolur për arratisjet spektakolare nga qelitë e paraburgimit, u shty sërish ditën e djeshme si pasojë e mungesës së dëshmitarëve mbrojtës. Trupi gjykues hapi seancën gjyqësore dhe pasi konfirmoi mungesën e dëshmitarëve mbrojtës caktoi datën 11 shtator për zhvillimin e seancës së radhës. I pandehuri ndodhej në sallën e gjyqit. Ndërkohë që gjykata deklaroi se dëshmitarët që janë punonjës të policisë kanë marrë njoftimet përkatëse dhe në seancën e radhës duhet të jenë të pranishëm. Ilir Paja është duke u gjykuar nga Krimet e Rënda për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", e mbetur në tentative, "armëmbajtjes pa leje", parashikuar nga nenet: 79/c-22; 278/2 të K. Penal. Ndërkohë që gjykohet për vrasjen e mbetur në tentativë të një punonjësi policie, Paja gjykohet paralelisht në Itali për kryerjen e disa krimeve në këtë shtet. Por Paja është personazh i kërkuar edhe nga drejtësia e shtetit gjerman. Në Itali Paja, beratasi i shumëkërkuar, dyshohet se ka vjedhur disa banesa me dhunë, ka shfrytëzuar vajza të shumta për prostitucion, ka mbajtur armë pa leje, ka trafikuar lëndë narkotike. Këto akuza ishin të bashkangjitura me dosjen aktuale të Pajës, por për shkak të një vepre të kryer në vendin tonë, Paja preferoi të qëndroi në Shqipëri duke kundërshtuar kërkesën për ekstradim të bërë nga pala italiane.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›