Recesioni dhe tregu i përbashkët evropian
BBC
A përbën recesioni ekonomik - në thellim e sipër - kërcënim për rregullat dhe parimet e tregut të përbashkët evropian? Kësaj pyetjeje përpiqet t'i japë përgjigje Wietske Burema e BBC-së, në rubrikën “Analiza”.
"Britania gjithmonë e ka mbajtur veten si shembull për të demonstruar se kufijtë e hapur, tregjet e hapura të punës, kanë qenë ide e mirë dhe i kanë sjellë Britanisë zhvillim dhe prosperitet", - thotë David Rennie, korrespondent në Bruksel i revistës “Economist”. Kështu që kur punëtorët britanikë nisën protestat ndaj përdorimit të kontraktorëve të huaj dhe në kërkim të punëve britanike për punëtorët britanikë, shumë u befasuan.
"Ta shihje që një gjë të tillë të ndodhte në Britani, është për të ardhur keq, sepse Britania ka qenë ajo që ka reklamuar gjithë këtë idenë e tregjeve të hapura", - thotë D. Rennie.
"Është shumë tronditëse të shohësh të ndodhë një gjë e tillë, në veçanti në Mbretërinë e Bashkuar, që tradicionalisht ka qenë një vend shumë i hapur dhe shumë mikpritës. Britanikët gjithmonë e kanë theksuar se si kanë përfituar nga globalizimi, se si ia kanë dalë më mirë se vendet e tjera evropiane që të tërhiqen punëtorë të kualifikuar emigrantë dhe të shohësh shpërthimin e protestave të tilla kundër të huajve, veçanërisht në këtë vend, është mjaft shqetësuese", - thotë Katinka Barysch nga instituti me qendër në Londër, Qendra për Reformën Ekonomike, e cila nuk është e vetmja që është e shqetësuar për protesta të tilla.
Politikanët në Evropë kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet në rafineritë britanike të naftës. Njerëzit atje kanë qenë të shqetësuar sepse punëtorë nga Italia dhe Portugalia, të ashtuquajtur punëtorë me shërbim, u sollën për të bërë punë të cilat punëtorët vendas kishin shpresuar t’i mbanin për vete. Tani kjo mosmarrëveshje është zgjidhur, por ajo ka ngritur shumë pyetje më të mëdha, sipas D. Rennie-së.
"Kur flet me njerëzit këtu në Bruksel, në Komisionin Evropian, ata nuk habiten nga kjo protestë. Ata e prisnin një mosmarrëveshje të kësaj natyre që kishte të bënte me legjislacionin e BE-së që u lejon kompanive që të dërgojnë me shërbim punonjës në një pjesë tjetër të BE-së. Ata kanë pritur që në lidhje me këtë të bëhej një betejë e madhe. Kjo është një përplasje që vazhdon prej kohësh mes sindikatave të mëdha perëndimore dhe institucioneve evropiane, sepse sindikatat e mëdha perëndimore në përgjithësi mendojnë se kjo direktivë e posaçme është një nga shumë gjërat që mundësojnë krahun më të lirë të punës nga vende të tjera që të ulin rrogat e larta, modelin shumë të mbrojtur të punës në Evropën Perëndimore që ata mendojnë se është kërcënuar që nga koha kur BE-ja u zgjerua për të pranuar këto vende më të varfra. Dhe për këtë bëhet gjithë lufta", - thotë Rennie.
Në Belgjikë, javën e shkuar rreth 1 mijë punonjës të sektorit të prodhimit të metaleve dolën në rrugë për të protestuar ndaj kërcënimit të humbjes së vendeve të punës. Ka pasur greva dhe në Francë, në Lituani dhe Greqi ka pasur trazira. Të gjitha protestat kanë një të përbashkët, frikën për të ardhmen, për vendet e punës dhe për rrogat. Dhe ndërsa recesioni thellohet, e njëjta gjë ndodh dhe me instinktin e qeverive për të mbrojtur shtetasit e vet.
Më herët gjatë këtij muaji, Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, njoftoi një ndihmë të shtetit në vlerë rreth 10.5 miliardë dollarë për të ndihmuar industrinë e makinave të vendit, me kusht që vendet e punës të mbeteshin në Francë... madje ai sugjeroi që prodhuesit francezë të makinave të mbyllnin fabrikat e prodhimit të tyre në Republikën Çeke, që i kishin hapur për shkak të krahut më të lirë të punës, dhe t'i zhvendosnin ato në Francë. Komisioni Evropian tani po heton nëse janë shkelur apo jo rregullat e tregut të lirë.
Jonathan Todd është zëdhënës për Komisionerin e BE-së për Konkurrencën:
"Ekziston rreziku se nëse të gjitha vendet anëtare do të fillojnë të marrin këto lloj masash për të mbyllur tregjet e tyre kombëtare, ne do të futemi në një spirale proteksioniste dhe do të shkatërrojmë tregun e përbashkët, që në të kundërt, do të ishte rruga e vetme jona për të dalë nga kriza ekonomike aktuale", - thotë Todd, dhe ai nuk është i vetmi që sheh të grumbullohen re të zeza të proteksionizmit.
John Monks është nga Konfederata e Sindikatave Evropiane:
"Të gjithëve u kujtohet ajo që ndodhi në vitet ‘30 kur përjetuam proteksionizëm. U ngritën barrierat e tarifave, u ngritën barrierat për të lëvizur dhe u përshkallëzuan tensionet e vendeve evropiane. Mësimi që na dha historia është se nuk duhet prekur lëvizja e lirë, tregtia e lirë. Ky duhet të jetë mësimi që na mësuan vitet ‘30 dhe unë jam partizan i fuqishëm i tij, por nuk e vë në dyshim se ai do të cenohet dhe do të vihet në sprovë me thellimin e recesionit teksa falimentojnë kompani të mëdha dhe forca e tyre punëtore i kërkon ndihmë qeverisë", - thotë Monks.
"Bashkimi Evropian do të vihet nën presion në forma shumë specifike. Të gjithë do të jenë nën presion. Çdo qeveri do të jetë nën presion, por BE-ja si projekt, është i veçantë dhe i ndryshëm nga të tjerët, sepse bazohet në filozofinë e solidaritetit", - thotë Rennie.
Në 27 vendet e BE-së jeton një popullsi prej rreth gjysmë miliardi banorësh. Dhe tregu i përbashkët shtrihet nga Qipro në jug në Finlandë në buzë të rrethit të Arktikut... Por duket se fijet që i mbanin të lidhura bashkë këto vende, tani po tendosen shumë. Por pavarësisht nga thellësia e krizës, parimi mbi të cilin u themelua Bashkimi Evropian, ai i tregut të lirë, nuk është në kërcënim imediat, sipas Thomas Klau, nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
"Do të ishte gabim të mendonim se trazirat sociale që duhet t’i presim në Evropë, do të çojnë në shpërbërjen e BE-së. Unë mendoj se baza kushtetuese mbi të cilën u ngrit BE-ja ishin njerëzit që kishin jetuar në vitet e Depresionit të Madh dhe kanë hartuar një sistem për të cilin ata mendonin se do të ishte aq i fuqishëm sa t’i përballonte tensione të tilla dhe unë mendoj se do ta bëjë një gjë të tillë", - thotë Klau.
Edhe Katinka Barysch, nga Qendra për Reformë Ekonomike argumenton se Bashkimi Evropian është aq i fuqishëm sa të mbijetojë dhe parimet e tij themelore të mbeten të paprekura nga kriza.
"Ne nuk jetojmë në një botë në të cilën një anëtar i vjetër i BE-së të fillojë të grisë rregulloren bazë të BE-së. Që një vend të bëjë një gjë të tillë, ai do të duhet të ndodhet me të vërtetë në një gjendje katastrofale ose që në njërin nga vendet e BE-së të jetë në fuqi një qeveri shumë e papërgjegjshme që të bënte diçka të tillë", - thotë Barysch.
Udhëheqësit e BE-së në dhjetor ranë dakord që të shmangnin veprimet e njëanshme të vendeve individuale që do të dëmtonin vendet e tjera. Në fillim të marsit ata do të mbajnë një samit të posaçëm për këtë në një atmosferë ku po shtohet presioni mbi qeveritë për të ruajtur vendet e punës për shtetasit e tyre.