Retorika dhe ndërtimi i bisedës
Nga prof. Gjergj Prelucaj
Me komunikim kuptojmë në përgjithësi të kuptuarit e dy ose më shumë personave ndërmjet tyre. Ai u shërben qëllimeve krejt të ndryshme. Njeriu ka nevojë për shembull të ketë kontakte me miqtë, të njohurit, komshinjtë ose të marrë kontakte me të huajt dhe të shkëmbejë të rejat, t’u transmetojë atyre çka atij i duket interesante, të dëgjojë, se çfarë i preokupon ata.
Njeriu është një qenie shoqërore dhe kjo shprehet në atë, se ai flet. Vetë Ermiti në shkretëtirë flet me Zotin. Sado madhështor të na duket ishulli i Robinson Kruzosë, ai fillon të bëhet parajsë për heroin e romanit, kur ai takon dikë me të cilin fillon të flasë.
Për aspektin social të komunikimit shpesh nuk ka asnjë rendësi se çfarë thuhet. Sa më afër të qëndrojnë ata të çilet komunikojnë njëri me tjetrin, aq më e parëndësishme mund të bëhet materia (përmbajtja) e bisedës. Të folurit e krijon bashkësinë njerëzore. Mbi bazën e këtij fakti ndërtohet komunikimi.
Për të ditur kush është ai, çfarë ai mendon, ku konsistojnë veçoritë e tij, për të mundësuar zhvillimin e personalitetit të vet, njeriu ka nevojë për jehonën e mjedisit të tij, ka nevojë për dialog, dinamikën e ndërsjellë të deklarimit me reaksionin. Njeriu realizohet në bisedë. Shpeshherë fiton një mendim vetëm atëherë kur ai ndeshet në një kundërshtim dhe duhet të mbrohet në bisedë; shpesh rezulton gjatë diskutimit se sa elemente të sakta apo të gabuara, të vetëkuptueshme apo jokonvencionale, gjysmë të vërteta apo të papjekura përmban ai. Po aq shpesh i ndihmon diskutimi një çështjeje, në qofte se shumë njerëz mendojnë në mënyrë konstruktive.
Në shumicën e rasteve idetë nuk mund të realizohen vetëm. Pikërisht për këtë arsye njeriu është i detyruar t’u artikulojë ato të tjerëve në një mënyrë të tillë, që ato të pranohen prej tyre. Për këtë ekzistojnë tri mundësi: nëpërmjet urdhrit, ndryshmenduarit dhe krijimit të bindjes. Këto të tria janë format e komunikimit. Vetëm në qofte se njeriu mund t’i bindë të tjerët nëpërmjet instrumenteve komunikatave për idetë e tij, ata do të ndihmojnë të realizohen ato në përputhje me qëllimet e tij. Nëpërmjet ndryshmenduarit njeriu mund t’i angazhojë të tjerët për idetë e tij. Kjo është e rëndësishme, por jo gjithçka.
Urdhri është sot mjeti më i papërshtatshëm i komunikimit, veçanërisht në fushën profesionale, e cila është plazmuar në mënyrë të theksuar nga puna në grup, në një bashkësi e cila mbështet empatinë dhe partneritetin ndërmjet njerëzve të barabartë, të lirë dhe të përgjegjshëm, në një shoqëri demokratike, ku dominon dialogu konstruktiv, jo dhuna; ku dominon konkurrenca e alternativave ndërmjet partnerëve në interes të të gjithëve, ekuilibri i ndershëm i interesave dhe jo vullneti i disave.
Komunikim do të thotë më shumë se të folurit. Ai është çelësi për çdo veprimtari njerëzore. Edhe veprime të caktuara mund të thonë diçka dhe të jenë pjesë e komunikimit (shprehja “Ju lutem, uluni” mund të zëvendësohet me një lëvizje të dorës dhe gjuhën e mimikës).
Përfundimisht, duhet thënë se një shumësi momentesh psikologjike determinojnë në procesin e të folurit.
(Pak humor, i nderuari mik: Kupe Danja ynë i mirënjohur nuk pati mirëkuptim për kapjen e vashës katolike në krahë nga oficeri turk, fatkeq, si një element komunikimi tejet esencial i ambicies së tij emocionale. Besoj të jem në një terren të sigurt po të supozoj se vasha mbeti e shokuar, sepse gjatë kohës që ajo po përgatiste reagimin e saj, sigurisht jo refuzues, në përputhje me kodin e kohës gjëmoi pushka, e cila shkatërroi gjithçka. Gjëmoi pushka = akti që jetësoi totalisht një dizaster komunikimi. O tempos, o mores.).
Psikologjia e komunikimit merret me përcaktimin dhe shqyrtimin e të gjitha elementeve të komunikimit, me analizën e elementeve që çojnë në defekte apo keqkuptime në kuptimin më të gjerë të tyre. Produktet e një meditimi të thellë lidhur me problematiken e ndërtimit të një bisede efektive dhe të suksesshme janë pyetjet: Si mund të evitohen keqkuptimet dhe si mund të eliminohen defektet? Si mund të arrihet që partnerët e një bisede të kuptojnë njëri-tjetrin?
Gjithsesi, mbetet e hapur pyetja se fare ka të bëjë ndërtimi i një bisede me artin e të folurit. Lidhja e parë konsiston në gjuhë, ende më saktë, në fjalën e artikuluar. Lidhja e dytë konsiston në atë, që gjatë bisedës dhe të folurit zhvillohet një proces komunikimi tejet i komplikuar. Por, ndërsa ky proces gjatë bisedës apo të folurit shpaloset disi dukshëm, gjatë një fjalimi apo referimi konsiston ai në të folurit dhe në reaksionet e paartikuluara. Nga kjo bëhet e qartë se është më e lehtë të trajtohen kushtet e bisedës. Të folurit, do të mund të thoshim, është një formë e veçantë e bisedës.
Çfarë është biseda?
Për të sqaruar se çfarë është një bisedë, mendojmë të zgjedhim këtu një model krejt të thjeshtë përshkrues. E zëmë se janë dy persona A dhe B dhe një temë T. Gjatë një bisede, A dhe B shkëmbejnë informacione, të cilat mund të jenë lajme, njoftime apo mesazhe. Secili person është në mënyrë të ndërsjellë dërgues (emetues) dhe marrës i lajmeve, njoftimeve apo mesazheve përkatëse, të cilat dëshmojnë që secili prej tyre ka një lidhje të caktuar me temën T. Gjithashtu, duhet shtuar, se personat A dhe B në këtë bisedë ndjekin qëllime të caktuara dhe një rezultat të caktuar. Ata synojnë tek një zgjidhje, çka do të thotë se ata janë angazhuar në zgjidhjen e një problemi që u intereson të dy personave.
Çdo bisedë zhvillohet në dy rrafshe, në rrafshin e çështjes dhe në atë të marrëdhënieve. Plani i çështjes përfaqëson marrëdhëniet e partnerëve me objektin e bisedës. Do të ishte rast ideal, në qoftë se do të arrihej qartësia dhe kuptueshmëria gjatë paraqitjes së çështjes që diskutohet edhe në qoftë se raporti me temën dhe rezultati i synuar ndikojnë në pamjen e gjërave.
Plani i marrëdhënieve përfaqëson marrëdhënien e partnerëve ndërmjet tyre. Ky është plani emocional dhe social, në të cilin rrjedh biseda dhe e cila (rrjedha) varet shumë nga ndikimi që kanë njëri mbi tjetrin partnerët e bisedës, gjithashtu edhe nga pozicionet sociale të caktuara që ata kanë në hierarkinë shoqërore. Këtu mund të arrihet idealja, në qoftë se partnerët e bisedës ndihen ndërsjellas (reciprokisht) të pranuar, të kuptuar dhe të konsideruar si të plotvlershëm (zotërojnë të gjitha cilësitë e duhura).
Nuk mund të ekzistojë asnjë bisedë, e cila do të mund të realizohej jashtë planit të marrëdhënieve, sepse në rastin kur personat A dhe B qëndrojnë përballë njëri-tjetrit dhe nuk i referohen njëri-tjetrit, çka do të thotë se ata nuk sensibilizohen nga pohimet e njëri-tjetrit, atëherë ndërmjet tyre ekziston kjo lidhje; ata injorojnë njëri-tjetrin, ata janë indiferentë në mënyrë të ndërsjellë.
Plani i marrëdhënieve ndikon mbi gjithë bisedën pozitivisht ose negativisht. Ky luan në fillim të bisedës një rol shumë të madh dhe mundet në çdo fazë të saj të cenohet nga secili prej partnerëve. Në qoftë se komunikimi është rrënuar në planin e marrëdhënieve, është eliminuar çdo mundësi për të pasur ndonjë vendim në planin e çështjes. Është fare evidente se këtij plani i duhet kushtuar vëmendja maksimale për të parandaluar një dizaster komunikimi.
Njohja vetëm e mjeteve të komunikimit nuk mjafton për ndërtimin e një bisede efektive. Është e domosdoshme të sqarohet si ato mund të barten në bisedë dhe si ato ndihmojnë për ndërtimin e saj.
Nga një shumësi e ecurive të mundshme të bisedave, të cilat i ka përshkruar dhe analizuar shkenca e gjuhësisë, është zgjedhur një tip i saj, i cili në të vërtetë nuk pretendon të jetë universale, por e cila lejon të sqarohen shumë gjëra, që mundësojnë një përgjigje të kënaqshme për pyetjen e mësipërme. Është e qartë se gjetja e kësaj përgjigjeje është objekti i angazhimit tonë. Si model shërben një bisedë, e cila në mënyrë formale mund të ndahet në katër faza, si ngjet zakonisht, me devijime të papërfillshme, në jetën e përditshme profesionale. Ecuria e bisedës bëhet sipas skemës të gjymtyrimit të njohur nga retorika për një fjalim.
Çdo bisedë zhvillohet në rrafshin e çështjes dhe të marrëdhënieve. Ky i fundit duhet të ndërtohet që në fillim të bisedës. Se si ngjet kjo në mënyre të detajuar, kjo varet nga shkalla e njohjes e partnerëve të bisedës, por edhe nga situata si dhe qëllimet, që i kanë vënë vetes ata. Nga mënyra se si fillohet biseda, krijohet edhe klima e rrjedhjes së saj. Nga përzgjedhja e fjalëve të hyrjes përcaktohet nëse ndërmjet partnerëve në bisedë ekziston një raport i të drejtave të barabarta apo njëri nga këta dëshiron të ketë epërsi ndaj tjetrit. Një bisedë efektive karakterizohet kurdoherë nga klima e të drejtave të barabarta dhe partneriteti. Kjo siguron që partnerët e bisedës të hapen dhe të garantohet informacioni më i madh i mundshëm, i cili, përveç të tjerave, zvogëlon rrezikun e keqkuptimit. Duhet pranuar që njëri prej tyre e drejton bisedën në një drejtim apo në një tjetër. Gjithashtu, duhet pasur kujdes nëse partnerët e bisedës pranojnë autoritetin e njërit dhe bashkë me të edhe rregullat e lojës për bisedën, përndryshe dëmtohet plani i marrëdhënieve. Kjo kushton energji, e cila mungon pastaj për të zgjidhur problemin në rrafshin e çështjes.
Në hapjen e bisedës duhet të shfrytëzohen të gjitha mjetet verbale dhe joverbale të komunikimit në gjithë gjerësinë e tyre, sepse hapja e saj është vendimtare për përshtypjen e parë, që fitojnë njëri për tjetrin partnerët e bisedës. Është shumë e rëndësishme që pamja e jashtme të ndikojë në mënyrë pozitive. Këtu kontribuon një qëndrim i drejtë i trupit kundrejt partnerit, një shikim i qetë e i hapur dhe një buzagaz që garanton simpati. Me anën e mjeteve joverbale të komunikimit koka duhet të mbahet e lirë gjatë fjalëve të hyrjes. Në qoftë se nuk fillon të flasësh menjëherë, fiton kohë për të konstatuar ndikimin e figurës sate mbi bashkëbiseduesin. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, në qoftë se nuk e njeh asfare partnerin e bisedës.
Pas një qëndrimi në heshtje pason përshëndetja në varësi nga karakteri i bisedës, i temës, nga shkalla e njohjes së bashkëbiseduesit. Në çdo rast luajnë një rol të madh format e mirësjelljes dhe aspektet joverbale. Në shumicën e rasteve përshëndetja bëhet në këmbë, duke iu drejtuar partnerit dhe duke zvogëluar distancën. Përzgjedhja e distancës ndikon në ndërtimin e bisedës në rrafshin e marrëdhënieve. Sigurisht nuk është pa ndikim, nëse bashkëbisedimi bëhet në këmbë, i ulur, rreth një tavoline me distancë më të madhe apo më të vogël.
Në varësi nga zgjatja e parashikuar e bisedës dhe nga qëllimet për të cilat ajo zhvillohet, mund të jetë shumë e dobishme që jo menjëherë, e në rastin e parë, të fillojmë të flasim. Shumë më e përshtatshme është t’i ofrosh partnerit të bisedës një temë nëpërmjet një pyetjeje të hapur dhe ta inkurajosh atë që të shprehet për këtë.
Ndërtimi verbal dhe joverbal i hyrjes së bisedës krijon bazën për marrëdhënie, në të cilat duhet të hyjnë bashkëbiseduesit. Duhet pasur kujdes gjatë gjithë bisedës që këto marrëdhënie të mos dëmtohen.