Masterat dhe diploma e munguar e qytetarisë...
Së fundi, në të njëjtat ditë në ekranin e vogël dhe në orët më të ndjekura u realizuan disa debate për faktin se çfarë përfaqëson në të vërtetë një master në Shqipëri. Kjo pa dyshim parë pas rregullave të reja të cilat imponohen me zhvillimet evropiane të arsimit.
Këto debate kanë zgjatur shumë dhe në fakt, përveç të tjerash, është përcaktuar se ndryshimi nga diploma e të shkuarës dhe masterit të sotëm është formal dhe se sigurisht të pajisesh me një master nuk është gjithçka, por vetëm një titull në disa nivele.
Në fakt, në shumë prej këtyre debateve është thënë gjithashtu se në shumë nga punimet e masterave apo doktoraturave perëndimore të cilat u kishin rënë në dorë të debatuesve gjatë ekuivalentimit të tyre në Shqipëri, janë gjetur mjaft elementë për t’i qortuar!
Por, përtej kësaj, tashmë të pajisurit me një master është bërë produkt komercial mjaft i kërkuar dhe spotet publicitare kanë filluar në masë të reklamojnë nevojën e tij! Në këto spote publike pak a shumë, thuhet se pa një titull të tillë shkencor askush nuk të ofron më punë dhe se duhet të nxitosh që ta bësh atë në universitetin…
Fakti që një master është bërë tashmë produkt komercial kompromenton parimisht në thelb këtë titull shkencor, sepse teorikisht ai më shumë se rezultat i një studimi apo pune të caktuar, bëhet produkt që shitet dhe blihet!
Sigurisht, sipas një çmimi përkatës që dikush e ofron më lirë dhe dikush më shtrenjtë dhe kur bëhet fjalë për çmime...! Sipas një biznesmeni, atij i kishin ofruar një titull të tillë të rregullt vetëm duke paguar një shumë të caktuar parash dhe se nga ai moment ai mund të pajisej me një master sipas të gjitha rregullave në fuqi...
Personalisht nuk mund të garantoj për vërtetësinë e një fakti të tillë, por zgjerimi i numrit të universiteteve private dhe fakti se nga këto universitete bëhen shumë fushata publicitare për pajisjen me master, pa dyshim që të lë të dyshosh për një mundësi të tillë...
Diploma e munguar e qytetarisë...
Së fundi, kemi pasur edhe një parti të re të kudogjendur, e cila është ngritur mbi bazën e individëve të pajisur me një titull masteri, ndryshe parimisht nuk pranohesh drejtues i saj, duke paragjykuar kështu konkurrimin demokratik të një organizimi politik.
Nga këtu mund të gjykojmë se në një organizim të tillë politik, i mbushur me tituj formalë shkencorë, ka pa dyshim një mungesë të madhe thelbësore. Në këtë organizim mungon për fat të keq diploma e qytetarisë, e cila parimisht ka të bëjë me themelet e demokracisë të së drejtës.
Në fakt, mungesa e kësaj diplome që prezanton ABC-në e një shoqërie demokratike, nuk është se shfaqet rrallë në jetën publike të Shqipërisë nga ku shumica e shoqërisë merr modelet e saj të zhvillimit dhe të të dëgjuarit dhe kuptuarit të tjetrit.
Për shembull, një ditë në ekranin e Alsat TV, sekretaria për politikat arsimore pranë Partisë Socialiste (sigurisht e pajisur me master dhe jashtë shtetit) i bërtiste ish-ministrit të Arsimit ose zv.kryeministrit aktual, sikur ky i fundit të ishte një student i saj dhe jo përfaqësuesi i shumicës politike dhe një nga titullarët më të lartë të shtetit shqiptar.
Ndërkohë, një natë tjetër, një grup gazetarësh në emisionin “Opinion” në TV Klan i drejtoheshin ministrit aktual të Drejtësisë (në të vërtetë në moshë të re) sikur të ishin prokurorë dhe jo opinionistë që ishin aty parimisht për të bërë pyetje.
Këta opinionistë sigurisht të gjithë të diplomuar dhe të afirmuar në këtë profesion, nuk arrinin dot të kuptonin së kishin përballë ministrin e shtetit shqiptar dhe jo thjesht individin Alibeaj!
Ndërsa njëri nga 140 deputetët e Parlamentit tonë të nderuar, një ditë pas rreth tre vitesh “klandestine” në tempullin e demokracisë shqiptare, u shfaq në vëmendjen publike duke akuzuar kryetarin e partisë së tij dhe ish-ministrin e Shëndetësisë se kishte falsifikuar diplomën e tij.
Ky zotëri, i cili për hir të së vërtetës nuk është shfaqur më në vëmendjen publike, sigurisht që një fakt të tillë e ka ditur me kohë (nuk e marr absolutisht si të vërtetë), por pa mëdyshje ka qëndruar nën hyqmin e kryetarit të tij derisa në një moment, për hir të një arsyeje që ai e di, u kërkoi instrumenteve të shtetit shqiptar dhe opinionit publik ta verifikonin një gjë të tillë.
Sipas mendimit tim modest, të gjithë këta protagonistë të jetës publike dhe politike me tituj shkencorë apo mastera, nuk e kanë fituar dot akoma diplomën e qytetarisë! Apriori besoj se ne nuk mund të ndërtojmë një demokraci eficiente të së drejtës nëse të gjithë këta individë nuk do të fillojnë të studiojnë rregullat bazë të qytetarisë dhe të përulen përpara punës dhe veprave, në vend që ta bëjnë një gjë të tillë vetëm përpara titujve formalë...