Evropa Lindore, dhjetëra viktima nga i ftohti “polar”
Reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve në gjithë Evropën Lindore.
Ministria për Situata Emergjente në Ukrainë tha se, në ditët e fundit, 18 njerëz kanë ndërruar jetë nga hipotermia, ndërsa rreth 500 të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Që nga e premtja, edhe në Poloni janë regjistruar së paku 10 viktima nga të ftohtët, ku temperaturat kanë arritur në -26 gradë Celsius.
Ndërkohë në Serbi, tre persona kanë vdekur, ndërsa 14 komuna kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Në Bullgari dhe në Çeki është shënuar nga një viktimë, ndërkaq personi që u ngri nga të ftohtët pranë qytetit Opava të Çekisë, ishte 26 vjeç.