Norvegji, dënohen ”komplotistët” e gazetës daneze
Drejtësia norvegjeze ka dënuar tre persona, si fajtorë për komplotin e një sulmi terrorist kundër gazetës daneze, e cila ka publikuar karikaturat e Profetit Muhamed. Gjykata në Oslo ka dënuar Mikael Davud me shtatë vjet heqje lirie dhe bashkëpunëtorin e tij, Shavan Sadek Said Bujak, me tre vjet e gjysmë.
Personit të tretë, David Jakobsen, që ka ndihmuar në sigurimin e eksplozivit, i janë konfirmuar katër muaj burg. Në dhjetor të 2010-ës, policia daneze ka arrestuar katër persona që kishin lidhje me një komplot të dyshuar ndaj gazetës “Jyllands Posten”, e cila ka shkaktuar zemërim të madh në mesin e myslimanëve nëpër botë, momentin që publikoi karikatura të Muhamedit në vitin 2005.