E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa: Parlamenti - shtëpia e dialogut, s’ka enigma për heqjen e vizave

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Gianni Pittella, ka konfirmuar në Tiranë se liberalizimi i vizave pati një finalizim me sukses, dhe se tani “Parlamenti është shtëpia e vetme e dialogut”


Zëvendëspresidenti i PE, Gianni Pittella deklaron se parlamenti është vendi i dialogut dhe i negociimit politik dhe se për këtë arsye, opozita duhet të jetë aktive në të. Gjatë një takimi të zhvilluar me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, zyrtari i lartë i Strasburgut deklaroi se ndërkombëtarët nuk favorizojnë njërën apo tjetrën palë, por konsiderojnë si jetike “dialogun në parlament”. Në këtë drejtim, zëvendës presidenti i PE-së Pittella tha se, “parlamenti është shtëpia e të gjithëve dhe ne favorizojmë dialogun në parlament”. Pas takimeve të ditëve të fundit me Presidentin e Komisionit për Ballkanin në PE, Kukan dhe raporterit për Shqipërinë, Chountis, dje axhenda e Kryetares së Kuvendit u fokusua në takimin me zëvendës Presidentin e Parlamentit Europian, Gianni Pittella. Ashtu si në takimet me eurodeputetët dhe krerët e parlamenteve gjatë muajve të fundit, edhe takimi me Pittellan kishte si kryefjalë liberalizimin e vizave, prioritet kryesor i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Topalli deklaroi se opozita ka vendin e saj në Kuvend dhe se duhet të bëhet pjesë e transparencës dhe njëherazi të luajë rolin që i takon. “Unë shpresoj që deputetët e opozitës të bëhen pjesë, jo vetëm e transparencës së zgjedhjeve më të mira e të ndershme të realizuara në Shqipëri, por mbi të gjitha të luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në debatet për ekonominë, shëndetin, arsimin, rrogat e pensionet. Askush më shumë se unë si Kryetare e Kuvendit, nuk është i interesuar të shohë opozitën të jetë pjesë e veprimtarisë së plotë të parlamentit. Parlamenti është vendi i dialogut, i negociatave dhe kompromiseve”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli. Kryetarja e Kuvendit i kërkoi Zëvendëspresidentit të PE-së Pittella mbështetje për heqjen e vizave në Parlamentit Europian, por edhe përmes influencës së tij në raportet më përfaqësues të lartë të politikës europiane. Pittella tha se garanton përkrahjen dhe influencën e tij personale gjatë procesit të heqjes së vizave por dhe në përshpejtimin e proceseve integruese. Topi-Pitella/ Vizat, hap përshpejtimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian Edhe presidenti i Republikës, Bamir Topi ka pritur dje në një takim Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Xhovani Pitela, dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Presidenti shqiptar shprehu dhe vullnetin për rritjen e kontakteve me Parlamentin Evropian, si një element me rëndësi në avancimin e procesit të integrimit, duke theksuar rëndësinë e liberalizimit sa më të shpejtë të regjimit të vizave si përmbushje e një aspirate madhore të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë edhe zyrtarisht në familjen tradicionale evropiane. Kryetari i Shtetit shprehu gjithashtu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike me Italinë dhe theksoi se zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat është mjaft i rëndësishëm. Në këtë kuadër, Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme të Italisë duke i përcjellë njëkohësisht përshëndetjet më të përzemërta për autoritetet më të larta të vendit fqinj. Gjatë takimit, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit të liberalizimit të vizave, i cili do të sigurojë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë, si një hap përshpejtimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›