Ramës as nuk i shkon ndërmend hapja e kutive
Nuk ka kërcënim më të madh për demokracínë, sesa dëshpërimi i mëkatarëve të rënë nga fiku. Barazimi i tyre para ligjit, i tërbon ata aq sa të mos i njohin kufí mizorisë së vet. Këta pseudodemokratë, që i japin në çdo gjë të drejtë vetes, akuzojnë gjithmonë pa shkak kundërshtarin. Duke mos pranuar të drejtat e të tjerëve, justifikojnë çdo padrejtësí të tyre. Si harbutë shpirtvegjël janë dhe mburravecë të mëdhenj. Urrejnë fisnikërinë e mirëkuptimit dhe i tmerron suksesi i kundërshtarit.
Komunizmi ia atribuonte vetes edhe sukseset, që njerëzit i arrinin me përpjekjet e tyre. çdo njerí që dilte i shkëlqyer në mësime, duhej të falënderonte për këtë partinë. Komunizmi kërkoi mirënjohje edhe nga ata që shpronësoi, që dënoi pa faj, apo që u mori pa shkak edhe jetën (Kush nuk u detyrua të shprehte mirënjohje pse pushkatohej dhe nuk varej në litár?).
Të mëkuar me këtë mentalitet barbar, Edvin Rama me shokë kanë bindur veten se po i shërbejnë së mirës, edhe kur në këto çaste historike braktisin parlamentin. Ata, madjé, arrijnë t`u kërkojnë edhe viktimave të djeshme të komunizmit t’i ndjekin pas në deliret e tyre prej diktatorësh. Më kot po mundohen njerëzit e urtë, forcat politike konstruktive, gjithë miqtë ndërkombëtarë t’u mbushin mendjen se bojkoti i tyre po e dëmton imazhin e Shqipërisë. Këta mëkatarë të mëdhenj, mercenarë të Edvinit, krenohen madje edhe për “urtësinë”, me të cilën gjoja i bëjnë gjithë këto prapësí. Dhe sa më demokratë dhe europianë po tregohen ndaj tyre të djathtët, aq më tepër këta “cinxaminj” po bëhen arrogantë, duke i shtuar kërkesat për realizimin e ambicieve të tyre për pushtet me dhunë. Prandaj Edvin Rama ngul këmbë si mushka për gjoja hapjen e kutive të çertifikuara të votimit . Ai ka hallin e vet, pasi nuk i ka mbetur tjetër rrugë për të qëndruar në politikë.
Edvini po tenton ta shndërrojë P.S.-në në një “gardë pretoriane”, e cila ta mbrojë nga ligji, por dhe nga socialistët e ndershëm. Kurse dyzetë hajdutëve që e rrethojnë, u duhet sharlatanizmi i tij për të siguruar grabitjet, që i kanë bërë pasurísë kombëtare. Dhe, së bashku me “liberalin” Ramë, t’i vënë flakën demokracisë, në emër të përsosjes së saj. Prandaj dhe “oratori” i “përtej së majtës e së djathtës”, i kapur si ujku në çark, mban vetëm fjalime patetike, i bindur se ato duhet t’i mjaftojnë elektoratit të majtë si ushqim shpirtëror e moral.
Edvini i shëmbëllen ustait të vjetër, Enver Hoxhës, i cili nuk u njihte kufi premtimeve të tij boshe për t’i mobilizuar “proletarët” në zhdukjen e armiqve imagjinarë, me qëllim që kështu të forconte “demokracinë e tij popullore”, të hurit e të litarit. Duke filluar me “lugën e florinjtë” e duke mbaruar me “fenerin ndriçues” ai mori më qafë breza të tërë shqiptarësh të sinqertë. Ai e izoloi vendin nga bota për ta shndërruar atë në “çiflik” të një bande kriminale dhe i “ushqeu” shqiptarët vetëm me iluzione kriminale utopike. Dhe, për të “justifikuar” gjithë dështimet, sajoi gjithfarëlloj sabotatorësh e tradhëtarësh. Dhe, me fajësitë e montuara ndaj tyre “justifikoi” varfërinë, izolimin dhe terrorin. Dhe vrau e preu gjithë ata që donin hapjen e vendit ndaj perëndimit. Si mëkatar i madh, Enverit i mjaftonte një bunker, ku të fshihte kokën e vet. Ndërsa, me “duartrokitjet” e shqiptarëve, të hutuar nga mjerimi dhe litari, shpresoi të mbrohej nga “cunámet” e së vërtetës. Ndërkohë mburrej se do t’i imponohej botës duke e paraqitur Shqipërinë e uritur dhe astmatíke si majën e mirëqënies, të lirisë dhe të potencialit ushtarak. (!). Prandaj i dënoi edhe kuadrot e veta pse nuk nxirrnin naftë aq sa donte ai, që të bëhej superfuqí atomike ?!... E tj. E, megjithatë, ky “urith” i trembur, vetëm u mburr tërë kohën brenda mureve të një blloku, që binte era pabesí e gjak. Dhe mund të duket e pabesueshme që ky mí ugaresh të ketë jetuar me ëndrrën të bëhej një “sulltan”, që të sundonte në jetë të jetëve, për derisa arriti edhe kërcënonte si bufon imperializmin dhe revizionizmin, të marrë së bashku.
Kurse Edvin Rama e ka gjetur “hallkën”, ku të kapet për të “justifkuar” mbylljen e Shqipërísë. Ai nuk do vërtet hapjen e kutive. Ai e ka këtë një sebep për të penguar hapjen e vendit e për ta bërë Shqipërinë një “kasafortë”, ku të ruhen paratë e pista të atyre që e komandojnë këtë Alí Babá.
Ai është kapur pas “kutive” të votimit për të justifikuar edhe mbijetesën e tij në krye të PS-së. Sepse, ashtu si Enver gangsteri, edhe ky “hero” i votës së lirë as që mendon për parti, për popull, a për demokrací ! Pa le për liberalizim vizash, a integrim të Shqipërísë në BE, nga të cilat trembet si shejtani nga temjani ! Ashtu si gjithë mashtruesit e mëdhenj, Edvin Rama e ka ngritur çështjen e kutive në zenitin e imagjinatës vezulluese demokratike, madjé në kufijtë ekstremë të një kauzeje super ideale, me shpresën që kështu të mund të realizojë synimet e veta banale, marrjen e pushtetit me dhunë. Gjithmonë mashtruesit e mëdhenj kështu i shpien, në “apogjé”, synimet e veta të stisura dhe premtimet e tyre false. Dhe fundi i tyre fatal e qesharak tashmë dihet. Dihet, pra, epilogu i tiranëve, nga i cili nuk kanë mundur të shpëtojnë as gjenítë e së keqes. Ndoshta prandaj Rama është çoroditur aq shumë në aventurën e ambicieve të tij, sa, jo vetëm kërkon të bëjë gjithë shqiptarët bashkëfajtorë në marrëzinë e vet, por ka arritur edhe që, ç’thotë sot, nuk thotë nesër, aq sa po lë me gojën hapur edhe ithtarët e tij fanatíkë. Atë po e tmerron sidomos qetësia, me të cilën po e përballon “ngërçin” e tij mazhoranca. Ndoshta prandaj po hyn çdo ditë në konflikt me të gjithë, madjé dhe me veten. Dhe tek mediton atje, në Pezë, zverdhet çdo ditë e më shumë, ndoshta dhe nga makthi që pret se mos i ngrihen befas socialistët e ndershëm ta dëbojnë me tam-tam-e nga selia rozë, tek shohin se si ai po ua hedh çdo ditë PS-në në lumë! Se socialistët që aspirojnë integrimin, janë bindur tashmë që Rama nuk e ka hallin tek vota e lirë, tek “transparenca”, apo hapja e kutive të votimit. Ndoshta prandaj Ramës i duhet kohë të bindë besnikët e vet për të bërë një protestë të ré, qoftë edhe mjerane!