Evropa djathtas si mesazh edhe për Shqipërinë
Nga Zamir Gjurgji
Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH) e udhëhequr nga kreu i saj mbi listë, Edi Rama, duket se po humb edhe bastionin e fundit të së majtës në Evropë, socialistët spanjollë, si për të humbur edhe vetë, ashtu pas liste, në 28 qershor 2009. Ndërkohë, Partia Socialiste Spanjolle (PSOE) e kryesuar nga Kryeministri Hose Luis Zapatero, ndër të vetmet të majta qeverisëse në kontinent, duket qartë se po humb terren dita-ditës, nëse u referohemi edhe sondazheve të kryera nga një institucion prestigjioz në vend si GESOP dhe të porositur nga e përditshmja barcelonase "El periodico".
Ekipi i "sallaksëve" evropianë ka kohë që ka rënë nga "kategoria superiore" në atë "inferiore", çka bën që lojtarët e tyre të mëdyshen mes "stolit të rezervave dhe "varjes së këpucëve në gozhdë". Më konkretisht, Veltroni i të majtëve u shkërmoq në Itali, Segoleni dhe e majta franceze ndodhet tashmë në rënie të lirë në Francë, ndërsa në Gjermani, të majtët post-shrëderianë po përjetojnë epokën e akullnajave, me rezultate nga më të ulëtat në historinë e tyre politike. Pa harruar faktin se Partia Socialiste Greke (PASOK), aleate e natyrshme e ylberistëve në Shqipëri, ndihet edhe ajo pas liste, krahasuar me demokratët e "ND"-së.
Gjithsesi, humbja e të majtëve në Spanjë kushton më rëndë. Kushton aq shtrenjtë, sa nuk ka të paguar. Kjo, jo vetëm për faktin se spanjollët janë të fundit socialistë që kanë mbetur ende në pushtet në Evropë, por edhe për një fakt tjetër më domethënës. Pasi, edhe vetë sistemi zgjedhor me të cilin shqiptarët do të shkojnë në kutitë e votimit më datë 28 qershor, është ai spanjoll.
Për t'iu kthyer analizimit të rezultateve të sondazheve të bëra në vend - që nga sondazhi i “Zogby”-t, tek i Sharlotës, e deri te ai “Gani Bobit” dhe ai i "Ora News" - të gjitha këto bashkohen në një pikë të vetme: "Bashkimi për ndryshim" kuotohet me përqindje që nuk progresojnë prej disa muajsh dhe rezulton humbës, si dhe ndahen në disa pika të tjera, ku "Aleanca e ndryshimit" - gjithmonë në progres në këto muajt e fundit - herë del fituese e vetme e zgjedhjeve, e herë i duhet të bëjë koalicion jashtë vetes. Edhe pse "Gërdeci" po shpërdorohet politikisht nga socialistët, një konstatim ky që zë vend edhe tek analistët më në zë të së majtës, në intervista të dhëna në gazeta ku flitet e përflitet shqip. Për më tepër, kur z. Basha dhe z. Mediu nuk ka ditë që të mos sulmohen mediatikisht, si dy zyrtarë të lartë të së djathtës, nën akuzë "për shpërdorim të supozuar në detyrë".
Nga ana tjetër, në Spanjë shpërfaqet po i njëjti fenomen si edhe në Shqipëri. Të djathtët e kryesuar nga z. Mariano Rahoi kanë mundur të tejkalojnë në muajin maj rezultatet e sondazhit pararendës, ku e majta pati epërsi ndaj të djathtës vetëm me presje dhjetore, në një kohë kur dy zyrtarë të lartë të së djathtës spanjolle gjendeshin përballë dyerve të organeve hetimore, me akuzën "shpërdorim të supozuar në detyrë". Por, sondazhi i kryer nga "Gabinet d'Estudis Socials i Opinió Pública" (Zyra e Studimeve Shoqërore dhe Opinionit Publik) dhe i porositur nga gazeta e përditshme e pavarur, " El periodico" , tregon se vetëm 10 ditë para se të mbahen zgjedhjet evropiane të 7 qershorit, e djathta në Spanjë është e kuotuar në 43%, krahasuar me 39% të mbështetjes popullore për Partinë Socialiste të Zapateros.
Ndërsa në Shqipëri, thuajse të gjitha debatet mediatike mes të majtëve dhe të djathtëve, si p.sh. Doda vs. Xhaçka, Ruli vs. Seseri, Paloka vs. Spiropali, Strazimiri vs. Shalsi, Bogdani vs. Mazniku, Rusmaili vs. Islami. Bumçi vs. Bushati etj., janë fituar dukshëm nga prag-deputetët e djathtë. E për të shkuar pak më tej, përfytyroni debatin Rama vs.Berisha (kur vetëm analisti jo i djathtë A. Bushati e nxori jashtë shinave E. Ramën në studion e Sokol Ballës), e për të shkuar tek një debat i supozuar R. Bulku vs. Luiza Xhuvani, J. Topalli vs. Vasilika Hysi, e për të nxjerrë gjithkush më vete, rezultatet e pritshme të popullaritetit të njërës figurë apo të tjetrës.
Në Spanjë, debati parlamentar mes Mariano Rahoit dhe Luis Zapateros që u zhvillua në mes të muajit maj dhe i transmetuar "live" nga TVE, përfundoi me një shfazim, skuqje fytyre dhe përskuqje sysh të Zapateros ndaj të buzëqeshurit dhe të maturit Rahoi, saqë në anketimet e mëpasme të gazetave më në zë të Spanjës, mbizotëronte kudo shprehja "Zapatero, vete ya" (Zapatero, ik tashmë). Megjithatë, ajo që duket se po i vë kapakun periudhës së dominimit të majtistëve spanjollë, është debati mes dy figurave qendrore, si të njërit krah ashtu dhe të tjetrit, për të zgjedhurit në Parlamentin Evropian. Debat ky i transmetuar drejtpërsëdrejti nga TVE, si dhe i ndjekur nga 2.650.000, spektatorë, i zhvilluar mes socialistit López Aguilar dhe djathtistit Mayor Oreja. Menjëherë pas përfundimit të këtij debati "cara a cara", gazeta më e njohur në vend dhe më gjerë, "El Pais", shtroi pyetjen se kush fitoi debatin, çka rezultoi se 57% e klikuesve mendon se fitimtar (ganador) ishte i djathti Oreja, 36% klikuan socialistin Agilar, ndërsa 7% ishin të mendimit se fitues nuk ishte askush prej tyre.
Ndërsa në Shqipëri ndodh “paksa” më ndryshe. E majta kryesore në Shqipëri është dorëzuar para se të hyjë në garë. Ajo ka ngritur të dyja duart lart për shkaqe të brendshme e të jashtme. Dhe këtë nuk e tregojnë vetëm rezultatet e të djathtave homologe evropiane, nuk e tregojnë vetëm sondazhet e gjithëkrahshme të zhvilluara deri më tani në vend, nuk e tregon as edhe vetëlënia pas liste e kreut të të majtëve E. Rama, por e tregon më së shumti mënyra banale e së majtës në vend për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve, edhe sikur "një votues i vetëm të mos pajiset me kartë"! Edhe sikur mos t'ia dojë kokrra e qejfit!
Kjo është mënyra më disfatiste që një e majtë mund të dështojë, sepse me këtë mënyrë, kreut të së majtës përtej të djathtës nuk ka nevojë t'i thotë kush "ik" ngaqë ai vetë "ka ikur tashmë", bashkë me verën.