E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria për Kosovën



Nga Xhevdet Mazrekaj

Rezoluta e Shqipërisë për Republikën e pavarur të Kosovës në OKI, e përfaqësuar nga Arabia Saudite, me angazhimin e pakursyer të ministrit Lulzim Basha, korri edhe një sukses të qeverisë “Berisha”, sukses që quhet “miratim i rezolutës së Shqipërisë në Konferencën Islamike”.

Në performancat diplomatike dhe mediale lidhur me këtë sukses diplomatik të Shqipërisë, ende asnjëherë nuk u përmend dhe nuk u tha se akti politik i miratimit të rezolutës zbulon një kualitet të ri të diplomacisë së Shqipërisë, konkretisht në qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Kur i njohim rrethanat politike ballkanike në 50 vitet e kaluara, politikisht është produktive ta arsyetojmë indiferencën e Shqipërisë në forumet me rëndësi historike ndërkombëtare, heshtjen para botës dhe zhurmën vokabulare propagandiste nëpër radiostacionet lokale (radio “Kukësi”).

Por edhe pas rënies së diktaturës “koncepti majtist” i elitës politike shqiptare u shpreh me deklaratat e Nanos dhe gjithë ansamblit të tij socialist se rruga e Kosovës për Evropë shpie nga Beogradi. Nuk mund të mos kemi kujdes ndaj një higjiene të politikës nacionale, kështu që kërkohet “të harrohet” edhe qëndrimi i disa personaliteteve të rreshtuara kushtimisht djathtas, si ai i ish-ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj, që deklaronte për Kosovën njësoj si Drashkoviçi, “më pak pavarësi, më shumë autonomi”. Prandaj Berisha u tregua burrështetas që ka strategji kombëtare, kur emëroi ministër të Iashtëm Lulzim Bashën, i cili as nuk e fsheh se është prokosovar, që do të thotë politikën e ndërton mbi parimet e kombëtares.

Konferenca Islamike në Damask, me miratimin e rezolutës për Kosovën, dëshmoi se Republika e Shqipërisë përfundimisht hoqi dorë nga “parimet” dhe “marrëveshjet” e kohës së Internacionales Komuniste që krijonin konsensus mbi “mospërzierjen në çështjet e brendshme të shteteve tjera”.

Sot, si vërteton edhe Biden, Kosova është shtet i pavarur përfundimisht dhe pakthyeshëm në tërësinë e saj territoriale. Republika e Shqipërisë me rezolutën në OKI prezanton një kualitet të ri në diplomacinë e këtij shteti: Shqipëria përfaqësoi Kosovën për herë të parë dhe ky është një kurs i ri politik që do të vazhdojë, sepse nuk ka logjikë të jetë ndryshe. Ta prezantosh Kosovën me rezolutë speciale në një forum me autoritet politik ndërkombëtar, forum ku vihen kritere dhe merren vendime zyrtare, të cilat luajnë rol të madh në politikën botërore, është një e arritur e madhe politike dhe kjo i ndodhi Republikës së Shqipërisë për herë të parë në histori (duke mos paragjykuar aktivitete prokosovare të shtetit të Shqipërisë në kanale diplomatike konfidenciale, por për opinionin të panjohura deri sot).

Kosova ka qenë politikisht një vend i vetmuar, hiq aleancën e madhe historike të shtetit të Wilson-it, qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare mbi Kosovën, 20 vjetëve të fundit, janë përkrahur nga Republika e Shqipërisë, madje edhe kur këto vendime janë arritur në bazë të konsensuseve që ka imponuar Rusia. Por, edhe kjo ka nevojë të arsyetohet, kur dihet nëpër çfarë fazash të “revolucioneve demokratike” ka kaluar Shqipëria gjatë 20 vjet tranzicioni. Mbase agoi dita në maj të 2009-s kur Shqipëria si shtet i NATO-s, e shporri përgjithmonë “inferioritetin politik” ndaj fuqive lindore. Kjo ndodhi pas 20 vjetësh pluralizmi, kaq kohë sa u desh që djathtistët të shërohen nga çdo “karizmë” e trashëguar e kohës diktatoriale. Pse vetëm për shqiptarët e Ballkanit u imponua për konotacion shumë negativ fjala “piemont”? Pse nuk paska pasur të drejtë Shqipëria ta përfaqësonte Kosovën, kur Rusia përfaqëson Serbinë, kur Greqia përfaqëson edhe emrin gjeografik të një krahine të saj veriore dhe e përzien me një shtet që quhet ashtu? Pse qenkan demoduar politikat “nacionale” kur të gjitha shtetet ballkanike relativizojnë kufijtë aktualë të shteteve të tyre, përveç Shqipërisë, e cila nga komunistët, as nuk ka guxuar të bëjë qoftë aludime minimale për Kosovën dhe territoret e tjera të Shqipërisë nëpër të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor?

Lulzim Basha i diplomacisë së kabinetit të Berishës, më në fund, e nxori Shqipërinë nga karantina e quajtur “inferioritet politik”, të cilin ia imponuan dhunshëm aleatët e Rusisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›