E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta 170 lekë, çmimi vazhdon rritjen

 

Bursat ndërkombëtare pësojnë rënien e parë pas një jave, ku çmimet arritën rekordin historik

Nafta, gjatë ditës së djeshme, ka mbërritur në 170 lekë për litër në disa pika të tregtimit me pakicë në kryeqytet. Çmimi për eurodieselin në pikat e tregtimit në kryeqytet vërtitet nga 163 lekë për litër, deri në 170 lekë për litër. Ndërsa, përsa i përket naftës D1 ajo ka një çmim prej 160 lekë për litër. Eurodiesel vazhdon që të ketë një çmim më të lartë se benzina, në të gjithë pikat e tregtimit. Por gjatë ditës së djeshme, çmimi i naftës në bursa ka pësuar një rënie të re, duke u kuotuar në rreth 125 dollarë për fuçi, çmim ky 10 dollarë më i ulët se rekordi i arritur gjatë javës së kaluar.

Rritja e çmimit të naftës dhe të benzinës ka sjellë efekte zinxhir edhe në mallrat e tjerë dhe shërbimet në të cilat ajo përdoret si lëndë e parë. Kështu, qeveria vendosi që të rrisë çmimet e biletave të transportit urban me 50 për qind. E njëjta situatë është duke u përjetuar edhe përsa i përket çmimeve të biletave në të gjithë transportin e qytetarëve, që realizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga privatët. Kështu, çmimet e të gjitha biletave të shërbimit interurban kanë pësuar një rritje të ndjeshme, që prej fundit të vitit 2007. Me rritjen e fortë të çmimeve të naftës, një nga sektorët që po përjeton krizën e radhës, është bujqësia. Kostot e shumta po rëndojnë mbi fermerët, që për shkak edhe të nivelit të pakët të tokës në pronësi, nuk mund që të bëjnë asgjë për të përfituar nga kjo situatë. Ngritja e një strukture të veçantë të specializuar që do të rekomandonte masa konkrete për të ndihmuar në këtë situatë, do të ishte një zgjidhje e mirë. Të tilla institucione tashmë po operojnë në shumë vende që po përballen me krizën botërore. Përsa i përket çmimeve të karburanteve, specialistët theksojnë se Shqipëria vuan nga një mungesë e shërbimit cilësor urban, që do të ishte me një kosto të ulët për qytetarët. Shqipëria vazhdon që të jetë në nivele të ulëta përsa i përket numrit të makinave për banorë, krahasuar me vendet evropiane, por konsumi i karburanteve nga mjetet që qarkullojnë në vend është në nivele të larta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›