E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët: Qeveria dështoi kundër trafiqeve

 

Withers: Deri më tani nuk është bërë asnjë zbatim i strategjive, mbeten të shkruara vetëm në letër

Ndërkombëtarët kanë shprehur rezervat e tyre në lidhje me luftën kundër trafiqeve të realizuar nga ana e qeverisë “Berisha”. Ambasadori amerikan Xhon Withers kritikoi qeverinë shqiptare se nuk ka zbatuar asnjë strategji në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe fëmijëve. “Deri me tani nuk është bërë asnjë zbatim i strategjive”,- tha Ambasadori Amerikan i akredituar në Tiranë. “Qeveria duhet të nisë mekanizmat ligjorë e financiarë, për të kaluar nga hartimi i strategjive në zbatimin konkret të tyre”,- shtoi ambasadori Withers duke theksuar se: “Zbatimi i strategjive, është pjesa më e vështirë, e cila deri më tani nuk është parë që të vihet në zbatim”. Ambasadorët që kanë marrë pjesë në këtë tryezë të rrumbullakët, kanë shprehur të njëjtin mendim përsa i përket luftës kundër trafiqeve. Sipas tyre, Shqipëria ka një legjislacion të mirë në këtë drejtim, por qeverisë i mungon tërësisht vullneti për ta zbatuar atë. Fjala e Ambasadorit Amerikan, Withers, është mbështetur edhe nga Ambasadori i OSBE në Tiranë, Robert Bosch, i cili deklaroi se: “Zbatimi i masave për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe fëmijëve, është ende në nivel të dobët”. Sipas Bosch, ka mospërputhje mes shifrave të raportuara nga qeveria dhe ato të organizatave ndërkombëtare. Ambasadori i OSBE i bëri thirrje qeverisë të intensifikojë përpjekjet në kuadër të luftës së këtij fenomeni shqetësues.

Në fjalën e tij, Ambasadori i Këshillit Europian për Shqipërinë, Helmut Lohan tha se shpresonte që BE do të vazhdonte të financonte projektet kundër trafikimit, por “zbatimi i çdo iniciative është gjëja më e rëndësishme dhe çelësi i suksesit”,- theksoi Lohan.

Kryeprokurorja e Përgjithshme, Ina Rama shpreh shqetësimin se tashmë fenomeni i trafikut ka ndryshuar formë. Sipas Ramës, nëse deri dje trafikantët e qenieve njerëzore dhe fëmijëve dënoheshin për këtë vepër penale, tani të arrestuarit dënohen për dhënie ndihme për këtë trafik. Sipas Prokurores së Përgjithshme, ky fakt kërkon më shumë vëmendje. Në këtë konferencë, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani prezantoi strategjinë e qeverisë 2008-2010 për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe fëmijëve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›