Klosi: Qeveria dështoi me kartat e identitetit
TIRANË- Viti 2008 e veçanërisht muaji qershor që është në prag, ishte premtuar nga qeveria aktuale se do të shoqërohej me realizimin e Regjistrit Kombëtar të Shtetasve dhe pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk u realizua, madje sipas Partisë Socialiste, të dyja këto procese, po mbulohen me afera korruptive, paaftësi totale të administratës dhe paqartësi teknike për zgjidhjen e tyre. Deputeti i PS-së, Blendi Klosi ka deklaruar dje se Regjistri Kombëtar i Shtetasve, ka një paqartësi totale. “Askush, asnjëherë, në asnjë vend, në asnjë tryezë debati, nuk paraqet sot zgjedhjen përfundimtare se si do realizohet Regjistri Kombëtar i Shtetasve, regjistër unikal, shumë i rëndësishëm për demokratizimin e jetës së vendit”,- tha ai. Në të njëjtën kohë, Klosi ka kujtuar pikërisht muajin qershor si kohën e premtuar nga qeveria disa herë se do e gjente Shqipërinë me një sistem i cili do të fillonte të prodhonte kartat e identitetit, ndërkohë që sot, sipas tij, “qeveria shqiptare në një proces të mbuluar me korrupsion, paaftësi dhe mosdëshirë për të bërë asnjë punë në këtë vend, ndodhet para gjykatave e akuzuar nga të 40 kompanitë që morën pjesë në tender, përveç asaj fituese”. “Po ashtu, u gjet një situatë krejt në amulli me kompaninë fituese, e cila nuk merr përsipër të realizojë, as me afat dhe as me cilësinë e kërkuar nga tenderi kombëtar i shpallur, sistemin e kartave të identitetit. Sot nuk ka kompani që mund të marrë, qoftë edhe teorikisht, përgatitjen e kartave deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009”,- shtoi Klosi. Rreth qëndrimit në fjalë ka reaguar dje edhe Ministria e Brendshme përmes zëdhënësit të tij, Fatmir Konja. Sipas tij, Ministria e Brendshme deklaron se projekti për Regjistrin Elektronik po ecën sipas parashikimeve. “Deri tani janë transferuar në sistemin elektronik 3,2 milionë rekorde me 2 hedhje, dhe 1 milionë rekordet e fundit me një hedhje, si dhe ka nisur rihedhja e dytë e tyre”,- tha ai. Në përfundim të deklaratës së tij, Konja, në emër të Ministrisë së Brendshme premtoi se shqiptarët në vitin 2009 do të kenë dokumentin e tyre të identifikimit.