Fortuzi: Largohem në fund të sezonit
Sulmuesi i Tiranës, Indrit Fortuzi, ka zhvilluar dje një konferencë për shtyp, ku ka bërë të ditur se në fund të këtij sezoni do t‘i japë lamtumirën futbollit të luajtur. "Ishte një vendim i vështirë, por e mora, pasi pashë që nuk jam më Fortuzi i viteve të rinisë dhe nuk mund ta nxjerr Tiranën nga balta. Ua komunikova vendimin drejtuesve të klubit dhe pavarësisht dëshirës së tyre që të vazhdoja, unë do t‘i qëndroj vendimit tim për t‘u larguar pas tri ndeshjeve të fundit të sezonit. Normalisht, do të kisha qejf që këtë vendim timin ta publikoja me trofeun e Kupës së Shqipërisë në dorë, por fati nuk ishte me ne. Pas largimit nga futbolli do të vazhdoj Fakultetin Ekonomik, ndërsa do të bëj shumë shpejt edhe një kurs për trajner, pasi është një karrierë që më tërheq. Nuk do ta refuzoja një ofertë për të marrë një rol zyrtari në radhët e Tiranës, pasi ky ka qenë gjithmonë klubi im dhe si futbollist i kam qëndruar pranë gjatë këtyre viteve të gjithë drejtuesve", deklaroi sulmuesi i mirënjohur i Tiranës.